
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas komunikatës që lëshoi Prokurori i Shtetit, ku akuzoi ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçlën për deklaratën e tij lidhur me aksionin e sotëm në Shtërpcë. Zyra e Prokurorit të Shtetit e ka akuzuar Sveçlën se nuk bën që aksioneve të prokurorisë t’u jap ngjyrime politike.
Haxhiu pyeti publikisht Prokurorin e Shtetit pse nuk kanë reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për aksionin e sotëm.
“E papranueshme komunikata nga zyra e Prokurorit të shtetit kundrejt Ministrit Xhelal Sveçla sidomos kur një i ngjashëm erdhi në mëngjes nga Beogradi! Zyra e Prokurorit të shtetit, nuk reagoi ndaj Vuçiqit e Petkoviçit të cilët tërë ditën thanë se arrestimet në Shtërpcë janë politike, por në mbrëmje Prokurori i shtetit reagoi ndaj një statusi të Ministrit Sveçla duke e akuzuar se po përzihet në punët e prokurorisë dhe po i jep ngjyrim politik zhvillimeve të sotme”, thotë ajo në një status në Facebook.
Haxhiu tutje thotë se aksioni është meritë e Qeverisë, pasi ajo i ka hapur rrugë zbatimit të ligjit dhe shton se nuk ka ndërhyrje të Qeverisë në punët e prokurorisë.
“Shtrohet pyetja se ku ishte prokuroria deri sot? Pse nuk vepruan më herët por vetëm pasi u dëmtua një pjesë e madhe e Brezovicës? Pse nuk vepruan më herët kur ish zyrtarë të lartë duke nisur nga ish presidentë, ish kryeministra e ish ministra dhe udhëheqës të institucioneve shumë të rëndësishme në vend ndërtuan villa në Brezovicë? Kush i pengoi këto hetime? Qeveria jonë i ka hapur rrugën zbatimit të ligjit dhe e ka të drejtën e plotë legjitime që të përshëndes secilin veprim kundrejt krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto nuk janë ndërhyrje. Punën e prokurorisë e kanë penguar ndërhyrjet e shumta në sistem si pasojë e të cilave nuk ka pasur veprime serioze në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar”, ka shtuar Haxhiu.