
Dushan Milunoviç, asamblist në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, ka thënë për televizionin ballkanas N1 se edhe më parë ka pasur barrikada të vendosura nga serbët, prandaj është i bindur se ato do të hiqen dhe palët do ta paraqesin si “diplomatike apo nuk e di çfarë lloj fitoreje”.
Por, pyetja që ngreh ai dhe që beson se është kryesore ka bëjë me “çfarë fituam me këto barrikada?”.
“Ky qytet me siguri do të ringjallet, kjo nuk është kriza e parë, as barrikadat e para. Ne kishim barrikada në vitin 2012 dhe dy vjet më parë”, deklaroi ai.
Milunoviç kujtoi se edhe një muaj më parë ka pasur barrikada për shkak të targave.
Ai thotë se në fakt gjithmonë pasi të hiqen barrikadat asgjë e mirë nuk vjen.
“Pas atyre barrikadave kemi fituar dy baza të Policisë së Kosovë në veri që askush nuk i ka kushtuar vëmendje… Tani i kemi këto barrikada që me siguri do të hiqen dhe do të na paraqiten si fitore diplomatike apo diçka e tillë”.

Tashmë janë bërë 10 ditë që pjesa veriore e Kosovës ka mbetur e bllokuar nga barrikadat e shumta të vendosura nga serbët në Veri.
Policia e Kosovës nuk ka ndërmarr aksion për largimin e tyre, meqë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se po presin nga KFOR-i që t’i largojë.
Në anën tjetër, KFOR nuk po i largon, meqë këta po presin një zgjidhje politike të çështjes e vetëm më pas të ndërmerret aksioni i largimit të tyre.
Për shkak të barrikadave, është dashur të mbyllen edhe dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë dhe qarkullimi është ndërprerë krejtësisht.
Veç njerëzve që nuk po kalojnë dot, atje në veri kanë mbetur të bllokuar edhe afër 20 policë, siç ka raportuar Albanian Post ditë më parë.
Serbët vendosën barrikada në veri, pasi policia arrestoi Dejan Pantiç-in, i cili më parë kishte sulmuar Policinë e Kosovës.
Para se të vendosnin barrikadat, serbët në pjesën veriore ishin larguar nga institucionet në të gjitha nivelet, si shenjë e pakënaqësisë së tyre me vendimin e Qeverisë për implementimin e masave kundër targave ilegale serbe me inicialet K.M e të tjera.
Qeveria më pas hoqi dorë nga ky vendim dhe lejoi qarkullimin e veturave me këto targa, por serbët nuk u kthyen në institucione.
Ata tash kanë vënë kusht për kthim formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Por, kryeministri Kurti ka deklaruar se nuk fillojnë themelimin e Asociacionit, përveç nëse kjo çështje përshihet në një marrëveshje të përgjithshme me Serbinë.
Pala tjetër, Serbia, këmbëngulë që Asociacioni të themelohet para nisjes së bisedimeve për marrëveshje finale, duke u thirrur në marrëveshjen e vitit 2013 në Bruksel, ku Kosova e Serbia ishin marrë vesh për themelimin e këtij organizmi.
Aktualisht, situata ka mbetur e ngrirë me potencial eskalimi.
Tjetër element shqetësues që i kontribuon shpërthimit eventual është konsideruar edhe organizimi i grupeve të ndryshme kriminale në Veri dhe në Serbi.
Një pjesë e tyre, të dielën, kanë organizuar protestë afër kufirit me Kosovën.
Për këtë arsye, KFOR-i ka vendosur trupat në pikat kufitare duke e rikthyer kështu situatën para vitit 2011 kur Kosova nuk menaxhonte me këtë pjesë të kufirit.