970×90
970×90

As Kuvendi nuk ofron zgjidhje për grevën në arsim

As Kuvendi nuk ofron zgjidhje për grevën në arsim

Të zgjedhurit e popullit për dy ditë kanë diskutuar për mundësinë e ndërprerjes se grevës në arsim, por nuk kanë arritur ndonjë rezultat. Marrëveshje për fillimin e procesit mësimor nuk ka sjell as diskutimi i zyrtarëve qeveritarë me përfaqësuesit e Këshillit grevist në komisionin parlamentar për Arsim.

Edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të ofrojnë një zgjidhje për ndërprerjen e grevës në arsim. Pas debatit të gjatë që kanë zhvilluar dje në Kuvendin e Kosovës për grevën, sot ata kanë dështuar ta miratojnë një projekt-rezolutë e cila tregonte se si mund të ndërpritet greva në këtë sektor.

Dokumenti i prezantuar të enjten nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është hedhur në votim, por me kundërshtimin e deputetëve të partisë në pushtet rezoluta nuk ka arritur ta marrë mbështetjen e nevojshëm.

Me 39 vota kundër, 22 për dhe 6 abstenime, ky dokument nuk ka kaluar në Kuvend.

22 deputet kanë qenë për rezolutën, 39 kundër dhe 6 abstenime. Kështu që konstatoj se nuk kalon kjo rezolutë e Grupit Parlamentar të PDK-së”, ka thënë kryetari i Kuvendi, Glauk Konjufca.

Rezoluta, e cila është prezantuar dje para deputetëve, tregonte hapat që duhet t`i ndërmarr qeveria për ndërprerjen e grevës në arsim.

Ajo parashihte që të zhvillohen negociatat mes Qeverisë dhe Këshillit të Grevistëve të BSPK-së deri në zgjedhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e grevës.

Kërkojmë nga Qeveria që në një afat prej 5 ditëve nga miratimi i kësaj rezolute, të përfshijë përfaqësues të autorizuar të BSPK-së, në grupin punues për hartimin e projektligjit të pagave, para miratimit të tij në Qeveri dhe të marrë në konsideratë propozimet e tyre. Kërkojmë nga Qeveria të propozojë masat për adresimin e kërkesave të tjera të sindikatave”, ka thënë shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri në seancën e të enjtes.

Përpjekja e komisionit për Arsim

Pas debitit shterp në parlament, Komisioni Parlamentar për Arsim ka bërë sot një përpjek të re për të arritur një zgjidhje për mbylljen e grevës në arsim, e cila më se shumti po dëmton fëmijët.

Përveç anëtareve të komisionit, në mbledhjen ishin ftuar edhe përfaqësuesit e SBAShK-ut, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Fatkeqësisht, edhe në këtë mbledhje dominoi fryma e debatit parlamentar që u zhvillua një ditë më parë.

Deputetë e opozitës fajësonin qeverinë për grevën, ndërsa deputetët e pushtetit fajësonin sindikata, duke thënë se Qeveria ka përmbushur kërkesat e arsyeshme të tyre.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se me grevistët janë pajtuar pothuajse për të gjitha kërkesat, përveç asaj për 100 euro.

Pika e vetme ku unë dhe kolegët e mi nuk kemi arritur një mirëkuptim është kërkesa e parë që të përcaktohet një shtesë në vlerë prej 100 eurove. Ne kemi kërkuar që SBASHK-u të mos vijë me një kërkesë të tillë e cila pamundëson zgjidhjen e grevës”, ka thënë Nagavci.

Kurse kryetari i këtij komisioni, Ardian Gola, i ka propozuar Këshillit grevist që të nisë mësimi, por si formë sindikale për të arritur përmbushjen e kërkesave të tyre të mos i vlerësojnë fëmijët me nota.

Të merren notat si formë e presionit sindikal. Jam i bindur që efekti për fitimin e vëmendjes qeveritare në raport me kërkesat sindikale do të jetë relativisht i njëjtë si sot kur fëmijët janë të privuar nga e drejta për shkollim”, ka thënë Gola.

Ymer Ymeri nga këshilli grevist i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka thënë se ky propozim do të diskutohet me anëtarësinë pas takimit.

Debati i kotë në mes deputetëve të pozitës dhe opozitës

Gjatë ditës se djeshme, deputetët e pozitës dhe opozitës kanë debatuar ashpër rreth grevës në arsim.

Deputetët e partive opozitare kanë fajësuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurtin për grevën.

Ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ofrojë zgjidhje për t’i dhënë fund grevës në sektorin e arsimit në Kosovë. Sipas tyre, është obligim i Qeverisë t’i kthejë fëmijët në shkolla.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka ftuar kryeministrin që të veprojë në këtë drejtim.

Livrit bre pak, se s’po i thona o vëlla, se po nervozohet. Lëviz o njeri, se s’po ke qef me të thanë vëlla, o njeri, livrit pak, bëni dy hapa, ofro diçka, jo veç qysh thu ti, sepse kjo është arrogancë.”, ka thënë Krasniqi.

Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, i ka kërkuar kryeministrin të njëjtën gjë.

Ke fobi, kur ke qenë në opozitë ke pasë bashkëpunim të mirë me sindikalistët. Zbrit në tokë. E dijmë që për fjalime e ekselencë sun ta kalojmë. Me qenë kryeministër unë s’më kish nxanë gjumi”, ka thënë Kadrijaj

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria ka adresuar të gjitha kërkesat e arsyeshme të sindikalistëve të arsimit.

Ai ka pranuar arsyeshmërinë e këshillit grevist se janë shtrenjtuar çmimet e shportës ushqimore dhe ka inflacion, por jo edhe kërkesën e tyre për 100 euro.

“Kërkesa e saktë ka qenë ‘derisa të kalojë Projektligji për pagat, na jepni nga 100 euro në muaj’. Ne e kemi bërë dimenzionimin ndryshe, duke e dëgjuar arsyetimin. Arsyetimi thotë është shtrenjtuar shporta elementare ushqimore. Kjo është e drejtë, por meqenëse është shtrenjtuar shporta ushqimore, ‘mi jep 100 euro për muaj derisa të zbatohet Ligji për paga’, nuk e bëjmë dot”, ka deklaruar Kurti.

Edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar nga Këshilli grevist që të ndërpresë grevën.

E drejta për grevë është e garantuar me ligj, por sa herë e shfrytëzojmë një të drejtë tonë duke i shkaktuar dëm dikujt tjetër, e bëjmë keqpërdorimin e asaj të drejte. Dëmi që është duke iu shkaktuar fëmijëve është me pasoja të pariparueshme në periudhë afatmesme”, është shprehur Kusari-Lila.

Këshilli grevist kërkon nga qeveria që mësimdhënësve të iu jepen nga 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga. Deri me tani, rreth 99 për qind e shkollave janë duke e respektua thirrjen e sindikatës për mbajtjen e grevës.

Related posts