
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka mbështetur qëndrimin e Rusisë ndaj incidentit ku Policia e Kosovës ka arrestuar një punonjës të UNMIK-ut.
Policia e Kosovës gjatë aksionit ‘Kontrabanda’ ku u arrestuan mbi 30 persona shumica e tyre zyrtarë të Policisë së Kosovës, ka arrestuar edhe një shtetas rus, punonjës i UNMIK-ut, Mikhail Krasnochekov.
Krasnochekov kishte bashkëpunuar në pengimin e aksionit të Policisë së Kosovës, madje dyshohet se ishte e tij motor-shara me të cilën u prenë drunjtë që u vendosën në rrugë, percjell lajmi.net.
“Unë fola me të personalisht. Ai mbështet plotësisht qëndrimin tonë se një veprim i tillë është një goditje ndaj prestigjit të Kombeve të Bashkuara”, tha sot zëvendësministri i jashtëm rus Sergei Vershinin.
Ai shtoi se kjo është me rëndësi të veçantë për Mosken sepse është një qytetar rus, por sipas tij, është e rëndësishme edhe që ai është zyrtar i OKB-së.
“Ne do ta shtrojmë këtë pyetje në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 10 qershor”, tha ai.