
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i ka reaguar kryeministrit të vendit, Albin Kurti, pas deklaratave që ky i fundit i bëri duke thënë se ‘rryma s’ruhet në frigorifer’.
Gjini ka thënë se kryeministri ashtu si e di që energjia nuk ruhet në frigorifer, e di që kjo e fundit edhe mund të parapaguhet.
Tutje Gjini ka pyetur Kurtin se ‘a jemi të vjedhur a të varfër’ dhe ka kërkuar nga Kurti që mos t’i ndërrojë fjalët.
“Shihe, nuk po bojka me e ruajt rrymen në frigorifer!! Kryeministri mirë po e di, saktë! Ai poashtu e di se energjia elektrike edhe parapaguhet!! Fakti që vetëm ne kemi reduktime, edhepse nuk jemi shumë më të varfër se vendet e rajonit tregon saktë se kompanitë prodhuese dhe shpërndarëse janë të obliguara t’i furnizojnë ato me çmimet e parapaguara. E çka mbet na e shesin neve, fooort shtrenjt. E di sakte se edhe këtë e di kryeministri, fort sakte. Ajo që nuk po e di ai është se njerëzit nuk hanë bar. Prandaj trivializon të pavërteta! Edhe një pyetje më ra ndër mend: a jemi të vjedhur a të varfër? Mos i ndërro fjalët tash”, ka shkruar Gjini në Facebook.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se s’ka pasur mundësi të blihet rrymë më herët për t’u evituar kriza energjetike pasi rrymën s’mund ta konzervosh në frigorifer.