
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka reaguar pas sjelljes vandaliste të shefit të asamblistëve të VV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Gashi përmes një reagimi në Facebook ka thënë se kjo është fytyra e vërtetë e VV-së.
“Kjo është fytyra e vërtetë e tyre. Do të ndëshkohen me votë, por edhe me ligj”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Pak para se të niste seanca për buxhetin e vitit 2025 në Kuvendin Komunal të kryeqytetit, shefi i asamblistëve të VV-së demoloi pajisjet në sallë.
Për këtë ai u mundua të arsyetohej se kishte dashur të nxirrte nga funksioni mikrofonin e kryesuesit me qëllim që sipas tij, të mos kalonin disa projekte që siç thotë ai janë të dëmshme për qytetarët.
Ai madje tha se ajo çfarë ai bëri nuk ishte vandalizëm, por aksion simbolik.
Gëzim Sveçla sot para gazetarëve tha se është ftuar për intervistim nga Policia e Kosovës.