Partitë opozitare kanë kërkuar themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.
Në emër të tri partive opozitare, deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka paraqitur propozim për formimin e komisionit hetimor parlamentar lidhur me furnizimet e rezervave shtetërore
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se kërkojnë hetim të thellë në lidhje me keqpërdorimet e mundshme me rezervat shtetërore, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“E konsiderojmë të nevojshme të bëhet hetim i thellë për keqpërdorimet e mundshme me rezervat shtetërore. Ne konsiderojmë si të domosdoshme hetimin ndërkombëtar për të parë nga afër sa janë respektuar ligjet dhe procedurat në këtë proces”, u shpreh Gashi gjatë seancës së Kuvendit.
Për këtë ka folur shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.
Ajo tha se kërkesa për themelim të komisionit hetimor, nuk ka kuptim dhe synon të krijojë paralelizëm me organet e hetuesisë.
“Kjo kërkesë përveçse se nuk ka kuptim, synon të krijojë paralelizëm me organet e hetuesisë. Partitë opozitare jo rrallë herë kanë dalë në mbrojtje të Prokurorisë së Shtetit duke thënë se ne po iu cenojmë aktivitetin, derisa momentalisht po tregojnë mosbesimin përmbajtjesor ndaj punës së tyre se mendojnë që përfaqësuesit e kuvendit mund të jenë hetues dhe prokurororë më të mirë se organet e rendit”, ka thënë Kusari-Lila.
Seanca e Kuvendit të Kosovës është duke vazhduar.