APOSTOLOVA LAVDËRON ZHVILLIMET PËR DEMARKACIONIN, POR THOTË SE KA EDHE NJË KUSHT PËR VIZAT
Në kuadër të “Forum 2015”, u diskutua në lidhje me temën “Momenti i ri i zgjerimit të BE-së, çfarë mund të përfitojë Kosova”.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se ditëve të fundit është arritur progres impresiv për sa i përket përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave.
“Kosova ka bërë punë impresive sa i përket përmbushjes së 93 nga 95 kushtet për liberalizim të vizave. Mendoj se këto ditë kemi pasur zhvillime shumë pozitive. Po e përmbyllim votën për demarkacionin në Kuvend dhe shpresojmë që kjo të ndodhë nesër ose pasnesër. Të premten patëm një takim me të gjitha partitë parlamentare, përveç Listës Serbe, ndërsa vetëm nga Vetëvendosje nuk pati konsensus për demarkacionin”, ka thënë Apostolova në “Forum 2015”, raporton Koha.net.
Por, si kriter tjetër i Kosovës, Apostolova tha se është edhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar në mënyrë që të bëhet liberalizimi i vizave.
Sipas saj, pas kalimit të demarkacionit, institucionet evropiane do të dalin me një raport të ri.
Shefja e BE-së në Kosovë tha se tani do të takohet me përfaqësuesit politikë për të lehtësuar procesin drejt votimit të Marrëveshjes së demarkacionit që do të çonte në liberalizimin e vizave.