
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka thënë se kjo parti, sipas traditës, do të vazhdojë të mbetet konstruktive dhe të mbështesë proceset demokratike që konsolidojnë shtetësinë e Kosovës, si dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
Me këtë rast, ai ka uruar Vetëvendosjen për fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit.
“Gjej rastin të uroj fituesin e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje, për rezultatin e arritur në zgjedhje. Njëkohësisht, shprehë bindjen e plotë se LDK-ja, sipas traditës, do të vazhdojë të mbetet konstruktive dhe të mbështesë proceset demokratike që konsolidojnë shtetësinë e Kosovës, si dhe funksionimin demokratik të institucioneve”, ka shkruar Quni në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Qunit:
Të dashur qytetarë,
Në ditën e zgjedhjeve, qytetarët e Republikës së Kosovës arritën të reflektojnë përgjegjësinë më të lartë qytetare, duke marrë pjesë masovikisht në një proces demokratik zgjedhor. Njëkohësisht, përgëzime për institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, të cilat treguan standardet e një kulture të lartë institucionale.
Gjej rastin të uroj fituesin e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje, për rezultatin e arritur në zgjedhje.
Njëkohësisht, shprehë bindjen e plotë se LDK-ja, sipas traditës, do të vazhdojë të mbetet konstruktive dhe të mbështesë proceset demokratike që konsolidojnë shtetësinë e Kosovës, si dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
Të dashur qytetarë,
Ju faleminderit pa fund për gjithë përkrahjen tuaj, e posaçërisht për shkallën e maturisë dhe pjekurisë; duke radhitur Kosovën përkrah shteteve me demokracitë më të zhvilluara për standardet e larta të këtij procesi zgjedhor.