Nji kerr i vogël, nji burrë i madh, dy studentë, nji ligjëruese e stomatologjisë me njohuri të thella në fushën e psikologjisë dhe nji udhëtim shekullor, të gjitha brenda nji dite.
Un e pres autobusin. Deri sa të vjen autobusi kalojnë nja dhetë kerre të vogla që punojnë privatisht, ilegalisht ose/dhe jo, linjën e autobusit nr. 1. Un nuk hypi. Pres. Vjen nji kolegë, burrë, në stacion nja dhetë a pesëmdhetë minuta mas meje. Dhe niset për shpi nja pesëmdhetë a njizet minuta para meje.
Kur vjen kerri (taxi), shoferi i t’cilit kur afrohet sinjalizon me gisht që asht shërbyes privat i linjës të 1-shit, aj s’ka nevojë me u mendue dy herë a me hypë a jo. Aj s’ka nevojë me këqyrë kush gjindet brenda. A janë krejt burra? A ka naj grue? A asht e mundshme që shoferi s’asht 1-sh e veç e çoj gishtin se i “pëlqeva”?
Ti, eh ti, me bo mos me i mendue krejt këto ndodhë që përfundon me naj kerr që s’asht hiç 1-sh. Ndodhë tipi me Porsche Panamera t’nalet te kambët edhe tue e përdor kodin e 1-shit don me t’ba nerë e me t’çue në shpi. Ndodhë. M’ka ndodhë. Për pak u idhnue që ia refuzova nerën.
Ndodhë hypë në nji kerr të vogël që asht 1-sh, se autobusi s’vjen as mas gjysë ore që ke pritë, e po bjen shi, e po bjen borë e je tue u mërdhi (e jo që ke nevojë për krejt këtë justifikim dreqi e marrtë) dhe në stacionin e ardhshëm hypë nji burrë në të njajtin kerr, që nuk e ka hiç problem me u zgjanue përskej teje thue se asht tue u ulë kambëkryq në odë të burratve. Veç me të prekë pak bre. Me të prekë. Me e akuzue s’mundesh. Se dreqi e marrtë, argumentimi mbi pafajsinë e tij asht n’maje të guhës: ngusht bijo. Pse nuk ecshe në kambë, masi s’po të pëlqen. E hajt de, pse? Pse nuk ecsha në kambë?
Kështu që e msheli gojën dhe e ndjej trupin e nji burri të huej, nji burri që s’po e due, qysh më ngjeshet për trupi. Njiherë veç pak, se un shtyna kah dera aq shum sa filloj me u tutë mos po çelet e po bie. Dhe taman mendoj që i lëshova boll vend, aj vazhdon me u frye e më ngjeshet për trupi edhe pak ma shum.
Me u zhdukë s’mujë. Me u skuqë s’e kam njet. Vendosi me i forcue muskujt e kambës. Shtyju aj kah un. Shtyju un kah aj. Zgjanohu aj. Zgjanohu un. Se fundi i fundit, s’asht garë muskujsh, asht garë e mendjes kjo. E din aj, ma mirë se un e din. Oh, qysh e din aj.
Atij i pëlqen, po get, kur kambën që e zgjanon në drejtim të trupit tem un ia shtyjë me forcë mbrapa. I pëlqen rezistenca, i doket si pjesëmarrje në “lojë”. Po e kuptoni, i doket sikur ajo “JO”- ja që interpretohet si nji “PO” tjetër në botën e burrnisë. I doket si “provokim”.
Ashiqare i pëlqen, saqë fillon me marrë frymë shlirë e me u zgjanue edhe ma fort. Nji buzëqeshje i lakohet fëtyrës së tij prej idioti. E merr si shejë miratimi po get që un s’po skuqna prej marres. E merr si aprovim, nashta edhe si shprehje admirimi e dashnie?! Qaq i vynë. E duroj edhe nja dy të shtyme e tani i thom: A mundesh me e mledhë veten pak zotni, sa nuk je derdhë? Po, po, sa nuk je derdhë i thash.
Shokuese! I erdh me keshë. Keshi edhe shoferi. Keshi edhe nji plak i ulun përpara përskej shoferit. Keshën ashtu nën dhambë, kuptohet, burrnisht. Por, nën hijen e t’keshmës për besë e ndjeva që edhe u tutën pak.
Me u mbledhë u mblodh. Mes neve u krijue nji hapësinë, sa me e nxanë edhe nji njeri aty. Durtë i qiti mbi gjunjë tue i lidhë gishtat. I përzdredhke gishtat, tue u mundue me kuptue çka deqi ndodhi. Nuk u mësue nji kurvë e rastit, pardon, nji grue e rastit me i folë me gjuhën që ate e ban burrë, e gratë si un i ban “pa edukatë”.
E ku ka pasë me mësue në këtë moçal morali që ka prodhue patriarkati me shekuj në këtë vend. Këtë moçal morali që vazhdon me u prodhue. Në libra të shkollës, shansa asht e madhe që aj ka lexue për “femrat e përdalura”. Ka mësue përmendsh definicione për mu.
Natyrisht, un zbres nja dy stacione ma herët se që e pata ndërmend. Eci në kambë. Dhe deri sa të mbërrij në shpi, më kapërcejnë shekujt nëpër kambë. Lexoj emnat e rrugëtve, tue thithë gazrat e kerretve. Shum pak emna grash. Shum burra. Tepër burra. Dhe shumica prej tyne matës burrnie ndër shekuj.
Nalna në semafor me pritë, se po due me dalë në anën tjetër. Dy burra të rinj rreth të njizetave tue ledhatue sedrën e njani tjetrit, po i thojnë nji vajzës: “ani këqyre kishe s’po më folet. Qyre more, kishe s’po don. Qy, qy qysh po e nalë veten mos me keshë. Po i vjen marre me kallxue që po i pëlqejna.”
Dhe e rrumbullaksojnë këtë teatër burrnor tue iu afrue me trup. Ajo nji hap ikë. Këta nji hap e njekin. E këqyri semaforin. Edhe 27 sekonda e kuqe. A ia vlen me folë? A ndërrohet bota për 27 sekonda? I këqyri këta burra të rinj e thom me vete, çka u prishë për njizet e kusur vjet, zor me u ndreq për 27 sekonda. Por, ajo vajza nashta ka nevojë dikush me i kallxue që as 27 sekonda s’ka nevojë ma me durue. Dhe që as 27 sekonda ma nuk asht vet.
I drejtohem këtyne burrave të rinj, tue i folë njonit trim që me marrë vesh edhe tjetri: “jo kishe s’po më folet, por s’po i folet. Kush je ti me të folë ajo aty? Po mendon që je i parezistueshëm a? Po mendon që asaj po i vjen marre, se qaq shum je tue i pëlqye, sa s’po ka guxim me të këqyr a? Kush je ti, hajt kush? Nuk po të këqyr, se nuk asht e interesume. Pikë. Qekaq e thjeshtë asht. JO. S’je tue i pëlqye. JO. Nuk po don me folë me ty. JO. Nuk ke të drejtë me e njekë. JO.”
Tue u zgërdhi mes vete, të habitun pak, me “skripta” nën sjetull morën hov me kalue rrugën në të kuqe djelmoshat e rrezikshëm. Tre sekonda pa u ba gjelbër. Jo, bota nuk ndryshohet për 27 sekonda. Por, për 24 sekonda ama, pastrohet pak bërllog prej saj, mendova me vete. Nashta me ia nisë pastrimin e bërllogut me studentë e profesorë e staf akademik që ngacmojnë studente nuk asht ide e keqe. Dhe jo, nuk ka lidhje qysh veshesh. Hiç s’ka lidhje. Nëse të ngacmojnë, ata kanë faj. Pikë.
Mbërrita në shpi dikur. Po i këqyri enët, krejt pa la. E gjeta dyqysh nji pijatë të lame. Ia marova vetes nji sendviç. Po bona gati me këqyr nji film e me hangër.
Thash hajt t’ia lëshoj nji sy fejsbukut. Lexoj: Filan profesoresha e stomatologjisë, tue u thirrë në njohuritë e saj mbi ndikimet negative psikologjike të provokimit nga vajzat ndaj natyrës së brishtë mashkullore, jep këshilla studentetve mos me u veshë në mënyrë provokative.
Heu, thom me vete, qysh m’paska ikë për gjithë ato vjet studime krejt kjo psikologji e provokimetve. S’asht e mundshme. “Profesoreshën” e gugllirati. M’dalin nja dy fotografi të saja. E lyme e ngjyme. Ajo shihet në nji zyre, po get të sajën, pra në UP, thue se asht ndreq me shkue në kanagjegj. Por, nuk e gjykoj. A e dini pse? Punë për te qysh lyhet e qysh ngjyhet. Krejt çka më intereson prej saj si “profesoreshë” asht çka ka në mend.
Dhe lypi najsen prej mendjes të saj në gugëll. Më del, në ma shum se nji burim (un zgjedhi Kohën Ditore), kjo: “Një porosi, edhe gjinisë femërore, studenteve, stafit akademik, stafit administrativ, i apeloj që mos të provokojnë, mos të vishen në mënyrë provokuese, sepse ky është një efekt psikologjik që mund të ndikojë shumë negativisht në rrethin ku ai student ose ajo studente kryen ushtrimet, ligjëratat. Megjithatë, pavarësisht prej dukjes së jashtme, nuk arsyetohet asnjë ngacmim seksual. I apeloj vajzat e reja që mos të harrojnë se janë pjesë e një institucioni shumë serioz ku kryhen ushtrime dhe ligjërata nga profesorë dhe asistentë, përndaj edhe duhet ta respektojnë kodin e veshjes.”
Allahile? Tashti ose asgjë nuk e justifikon ngacmimin seksual, ose veshja provokuese e justifikon?! Ja njana, ja tjetra zonja Pustina-Krasniqi. Gjasa asht që “profesoresha” asht shpreh gabimisht. Ajo, e cila mbi të gjitha ka detyrë me qenë model emancipues për studentët, e jo gjyqtare morale, jam e sigurtë që me kërkimfaljen e saj, kur ta sqaron gabimin, ka me na ofendue edhe ma shum.
Sepse, gjasa asht e madhe që ajo ka shpreh bash mendësinë e saj, por ka “gabue” se e ka thanë publikisht, sepse i ka rrëshqit perdja e korrektësisë politike. Prapa të cilës kahnjiherë edhe politikanët na tingllojnë progresiv.
Enët nuk i lajta as ma vonë. Ka kohë nesër. Masnesër. Nashta edhe hiç. U ula me shkruejt këtë shkrim. Para se me e krye ia lexova shoqetve. Si me folë për mue, m’tha njana. Si me folë për mue, tha tjetra. Edhe për mue, tha e treta. Edhe për mue, tha e katërta. Edhe për mue, tha pa e dijtë për çka po folim, e bija pesë vjeçare e të dytës. E jo, edhe për ty jo. Jo. Boll ma. Jo. Dhe pikë.
Sepse, ky shkrim nuk asht nji udhëtim punë – shpi, ky asht nji udhëtim shekullor për krejt gratë. Dhe te e bija e shoqes tem, ky udhëtim ka me u ndalë. Ajo ka me u veshë qysh t’ka qef. Ajo s’ka me ni këshilla seksiste prej nji “profesoreshe” se qysh me u veshë për mos me i provokue profesorat e studentat.
Ajo s’ka me lexue për vajza të “përdalura” në libra të shkollës. Ajo s’ka me pranue, more ajo as s’ka me ni, argumente bullshit mbi psikologjinë e efektetve negative të provokimit së gratëve ndaj burratve. Sepse, na këtë luftë kena me e përfundue sot.
Tue u mundue me e përmbyllë dyqysh këtë shkrim, nji pytje ia nisi me mu sillë nëpër krye. A thue, a ka me më pa në andërr aj burri i kerrit? Mue mu kanë ba aq shum burra të tillë në ankthet e mija, sa ma nuk nxen. Nji asht e sigurtë, në andrrën e tij un e di që jam çka aj don un me qenë. Por, nesër kur të zbardh dita, në realitetin tonë, aj asht muti që un kam me e luftue tue ba, e tue qenë çka un due. Pikë.
Un duhet me e luftue, që mos me pasë nevojë me luftue e bija e shoqes tem nesër për me ba e për me qenë çka ajo don, pa u ndje në siklet se mos e provokoj dikend se u veshë shum, a u veshë pak; se i ka gjinjtë e vegjël, a i ka gjinjtë e mëdhenj; se ka shum killa, a ka pak killa; se i ka buzët tepër të kuqe; a pak të fryme.
Thjeshtë ajo ka të drejtë me u ndi që asht taman. Qe, kjo asht andrra jem. Po pra, qeshtu duket andrra e nji “kurve”. Dhe, për fund nji lutje: thuej grue, jo femën. Të lutem! Se edhe lopa asht femën.
Shkruajti: Ardiana Shala Prishtina
(Ky shkrim është marrë nga Sbunkur.net)