Ish-deputeti Andin Hoti, i cili është edhe djali i veprimtarit të njohur, Ukshin Hoti, pas shkarkimit të Drejtorit të AKI-së, Kreshnik Gashi, ka thënë se është e papranueshme dhe dëshpëruese që politika në Kosovë kap nën kthetrat e saj çdo institucion dhe sulmon këdo që nuk i përshtatet interesave partiake të saj.
Ai ka thënë se disa njerëz janë përtej politikave partiake, përtej interesave të ngushta të shoqërisë sonë dhe i tillë është edhe Kreshnik Gashi, drejtori i deritashëm i AKI-së.
Ky është postimi i plotë i djalit të Ukshin Hotit:
“Ndoshta, rrallë lindin njerëz gjatë kohërave, si produkt i rrethanave, apo si shpërblim, mu për ta ndërruar kohën dhe për ta bërë atë histori, ashtu si Ukshin Hoti. Ai është intelektuali dhe flijuesi më i madh i kohës, jo vetëm te shqiptarët, sa që është e vështirë të krahasohet me këdo qoftë gjatë historisë dhe të sotmes, për nga gjenialiteti krijues, atdhetaria, sakrifica dhe trimëria.”
Këto fjalë, të shkruara nga një nxënës gjimnazist i shkurtit 1999, e që sot është në krye të Agjencisë së Intelegjencës së Kosovës.
Kreshnikun kam pasur fatin ta njohë dhe ta kem mik, dhe me plotë bindje e them që posedon të gjitha virtytet e një njeriu që i duhet kombit tonë.
Disa njerëz janë përtej politikave partiake, përtej interesave të ngushta të shoqërisë sonë, e i tillë është Kreshniku.
Është e papranueshme dhe dëshpëruese që politika në Kosovë kap nën kthetrat e saj çdo institucion, dhe sulmon këdo që nuk i përshtatet interesave partiake të saj.
Historia po tregon që fatkeqësisht neve vet po i kontribojmë të keqës në Kosovë.
Është për keqardhje largimi i Kreshnik Gashit nga shefi i AKI-së, sepse nuk dëmtohet Kreshniku, por dëmtohet Kosova!
Është koha që profesionalizmi të triumfoj ndaj paditurisë!.