Ambasadori i ShBA’së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur për raportet që ka me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti.
Në një intervistë për ATV, Hovenier ka deklaruar se ka marrëdhënie të mira personale me Osmanin dhe Kurtin, derisa ka shtuar se edhe kontaktet mes qeverive të Kosovës dhe ShBA’së janë të forta dhe të fuqishme, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Të tilla raporte ka thënë se kanë qenë edhe me qeveritë e kaluara.
“Kemi marrëdhënie njëmend të mira me këtë qeveri. Kam marrëdhënie të mira personale me presidenten Osmani dhe me kryeministrin Kurti dhe kontaktet në mes të qeverive janë të forta dhe të fuqishme. Kështu ka qenë edhe me qeveritë e kaluara sepse ta them sërish, kemi miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm”, ka deklaruar Hovenier.
Hovenier ka thënë se janë në komunikim gjatë gjithë kohës me krerët e shtetit, derisa ka përmendur edhe telefonatën që zhvilloi mbrëmë me Kurtin Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Përgjigja e plotë e Ambasadorit Hovenier pa ndërhyrje: “Shtetet e Bashkuara dhe Kosova janë miq të kahmotshëm. Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar përkrah Kosovës për kohë të gjatë dhe edhe Kosova i qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara. Kemi marrëdhënie njëmend të mira me këtë qeveri. Kam marrëdhënie të mira personale me presidenten Osmani dhe me kryeministrin Kurti dhe kontaktet në mes të qeverive janë të forta dhe të fuqishme. Kështu ka qenë edhe me qeveritë e kaluara sepse ta them sërish, kemi miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm”.
“Pjesë e bisedimeve tona me qeverinë e Kosovës ka qenë dëshira jonë që të shohim zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme. Kjo do të përfshinte edhe elemente të Zotimeve të Uashingtonit, si dhe të marrëveshjeve të Brukselit. Por, ne kemi partneritet të fuqishëm; komunikojmë gjatë gjithë kohës. Me siguri e dini se dje, sekretari Blinken foli me kryeministrin Kurti. Ky është vetëm një shembull. Ata janë takuar më herët gjatë verës. Kemi marrëdhënie të fuqishme, partneritet të fuqishëm”.