![Ambasadori amerikan pas takimit: Asociacioni duhet të bëhet](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/01/3DF72289-6BE9-4D80-9142-8E02BAD8612A.jpeg)
Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është deklaruar pas përfundimit të takimit rreth Asociacionit në Ambasadën Amerikane.
Hovenier ka shkruar se SHBA-ja do të vazhdojë të avokojë për zbatimin e të gjitha zotimeve të dialogut, shkruan Reporteri.net.
“Sot mbajtëm një diskutim në ambasadën amerikane në Prishtinë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Mirënjohës ndaj palëve të ndryshme të interesuara të pranishëm për ndarjen e pikëpamjeve dhe ekspertizës së tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve të Dialogut”, ka shkruar Hovenier.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Kryeministria e Presidenca, përfaqësues të partive opozitare, diplomatë e pjesëtarë të shoqërisë civile.
Aty nuk ishte prezent kryeministri i vendit, Albin Kurti. Kurti gjatë javës së kaluar tha se nuk ka marrë ftesë për takim, gjersa sot nuk komentoi shumë, por tha se kabineti i tij është prezent aty.
Sipas këtij draft-statuti, Asociacioni do të formohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Drafti në fjalë që i ka 18 nene, përgjithësisht është i ngjashëm me atë të mëparshmin që ishte rishfaqur në publik muaj më parë. Veç se në këtë draftin e ri, Asociacioni është riemërtuar në “Asociacioni i Komunave në të cilat komuniteti serb kosovar është shumicë”.
Chollet dhe Escobar kanë thënë gjithashtu se ndër qëllimet më të rëndësishme të Amerikës në Ballkanin Perëndimor është që të ndihmojnë në krijimin e kushteve “për marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.
“Gjatë javëve të shkuara, së bashku me Francën, Gjermaninë, Italinë dhe BE-në, kemi udhëtuar në Beograd dhe Prishtinë për të inkurajuar të dyja palët që të pranojnë propozimin e BE-së për të dy vendet që të normalizojnë marrëdhëniet, të ndërprejnë ciklin e krizave dhe konfrontimit, dhe të çojnë përpara me vendosmëri integrimin e tyre evropian. Kjo është mundësi historike që ne besojmë të dy palët duhet ta shfrytëzojnë”, thuhet ndër të tjera në tekstin e tyre.