Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka theksuar edhe njëherë nevojën për de-përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës.
Ai në Twitter ka thënë se duhet mbajtur zgjedhje të reja në komunat veriore, me përfshirjen e serbëve të Kosovës.
Diplomati amerikan gjithashtu ka theksuar nevojën për zbatimin e plotë të marrëveshjes së normalizimit nga Kosova dhe Serbia.
“U theksua nevoja për de-eskalim të menjëhershëm në veri të Kosovës, duke përfshirë zgjedhje të reja gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës, dhe zbatimin e plotë nga Kosova dhe Serbia të marrëveshjes së normalizimit”, ka shkruar ambasadori amerikan.
Hovenier ka shkruar pas takimeve që emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, kanë zhvilluar me politikanët në Kosovë.
Emisarët i kanë paraqitur kryeministrit Albin Kurti një propozim me tri elemente.
I pari është de-eskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna si dhe rikthimi në dialog.