Kryeministri Ramush Haradinaj nuk do të jetë pjesë e “Lutjeve të Mëngjesit”, që organizohen të enjten e parë të shkurtit cdo vit në Uashington. Kështu ka thënë vetë Haradinaj, duke e ndërlidhur mosudhëtimin e tij me vendosjen e taksës.
Në Lutjet e Mëngjesit ftohen liderë nga e gjithë bota, dhe Haradinaj nuk do të jetë aty, ndonëse ka treguar që ka ftesë.
As pas takimit të fundit me ambasadorin e SHBA’së në Prishtinë Philip Kosnett, që është zhvilluar në Zyrën e Kryeparlamentarit Veseli, Haradinaj ka thënë se nuk do të hiqet taksa.
Ambasada amerikane në një përgjigje për Gazetën Express ka refuzuar të tregojë arsyen e pamundësimit të Haradinajt, që të shkojë sivjet në Amerikë.
“Për shkak të kufizimeve të privatësisë Ambasada nuk përgjigjet në pyetjet lidhur me rastet individuale të vizave”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane.
Al Jazeera e Ballkanit ka raportuar dje se kryeministrit Haradinaj, i është refuzuar viza amerikane për shkak të taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.
Një burim i Departamentit Amerikan të Shtetit i ka thënë Al Jazeera Balkans se ky sanksion vjen pasi që Haradinaj po refuzon ta heqë taksën ndaj Serbisë
Vetë Haradinaj, në konferencën për media një javë më parë, e pranoi se me gjasë nuk do të mund të udhëtojë për në Uashington, për shkak të situatës së krijuar pas vendosjes së taksës.
“Qejf kam pasur, edhe kam. Me këtë klimën me taksën po më duket nuk shkoj kësaj here. Duhet me prit me shku ma vonë”, është shprehur Haradinaj gjatë konferencës për media, transmeton Gazeta Express.
Kryeministri Haradinaj është përballë edhe një vit më parë me probleme e vonesa të vizës amerikane.
Edhe atëherë raportohej se kryeministrit po i bëheshin vonesat e vizës për shkak se nuk po e përkrahte marrëveshjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi.
Megjithatë, Haradinaj në muajin shkurt, me bashkëshorten e tij, kishte udhëtuar në Uashington.
Pas votimit të demarkacionit në mars të 2018-ës, Kryeministri ka zhvilluar vizita të tjera në SHBA dhe takime me zyrtarët më të lartë shtetërorë, si sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, i cili i dha leje për krijimin e ushtrisë.