
Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë edhe në seancën e sotme përpjekjen për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë.
Deputeti i VV’së, Faton Peci, tha se edhe sot do të vazhdojnë me tentativë për themelimin e Komisionit.
“Ne çdo ditë vijmë me vullnet pozitiv, me shpresë që edhe partitë tjera opozitare do të reflektojnë për nevojën dhe domosdoshmërinë që Kosova të ketë institucione, në radhë të parë duke e konstituar Kuvendin. Rrjedhimisht i bie që ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje që ta themelojmë Komisionin që të verifikojë votat për kandidaten tonë për kryetare kuvendi”, tha Peci, para vazhdimit të seancës.
Kandidatja e VV’së vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu.
Sipas Pecit, problemi nuk është emri i saj, pse ka ngërç në këtë proces.
“Gjithë kjo zhurma ose tentativa me identifiku Albulena Haxhiun si problemi, s’është problemi. Secili prej kandidatëve që potencialisht do të ishte në propozim, rrjedha e procesit do të ishte e njëjtë”, deklaroi Peci.
Seanca vazhdon në orën 10:00.