970×90
970×90

Albin Kurti e dorëzon aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

Albin Kurti e dorëzon aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

Kryeministri Albin Kurti sot ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian Republikës Çeke, e cila aktualisht udhëheq me Presidencën e BE-së.

Ai atje është pritur nga ministri i Jashtëm çek, Mikuláš Bek.

Gjatë qëndrimit të tij, Kurti do të zhvillojë një takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavský.

Kujtojmë se të mërkurën e 14 dhjetorit presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti e kanë nënshkruar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Krerët e shtetit e kanë vlerësuar këtë si ditë historike dhe si një lëvizje drejt jetësimit të ëndrrës së kamotshme të popullit të Kosovës.

Pas aplikimit për anëtarësim janë tre hapa kryesorë që duhet t’i bëjë Kosova, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Statusi i kandidaturës ose kandidatit nënkupton pranimin formal të aplikimit të një vendi.

Jepet me vendim unanim të Këshillit Evropian – i informuar nga rekomandimi i Komisionit Evropian – për të pranuar zyrtarisht aplikimin e vendit.

Këshilli dhe vendi kandidat duhet të bien dakord për një kornizë për negociatat e anëtarësimit.

Vendet kandidate marrin gjithashtu asistencë financiare dhe teknike gjatë gjithë procesit të anëtarësimit. (Buxheti 2021-2027 i BE-së për ndihmën e para-anëtarësimit është 14.162 miliardë euro), shkruan Reporteri.net.

Nga koha e aplikimit deri te statusi i vendit kandidat mund të kalojnë disa vite kohë. Në rastin e Shqipërisë kanë kaluar pesë vjet.

Negociatat e anëtarësimit fillojnë pasi vendi kandidat përshtat ligjet e tij kombëtare për t’u përafruar me rregullat e BE-së, të quajtura acquis. Edhe kjo mund të marrë disa vite kohë. Negociatat përfundojnë zyrtarisht pasi secili nga 35 kapitujt e acquis (të cilët fokusohen në tema si taksat, mjedisi dhe politika e mbrojtjes) të mbyllen unanimisht dhe janë faza më e gjatë e anëtarësimit në BE.

Një traktat aderimi nënshkruhet nga vendi kandidat dhe Bashkimi Evropian (me pëlqimin e Këshillit, Komisionit dhe Parlamentit) dhe më vonë ratifikohet nga kandidati dhe çdo vend i BE-së, kur ai bëhet i detyrueshëm. Vendi tani e tutje konsiderohet një “vend aderues” deri në datën zyrtare të anëtarësimit, kur ai bëhet anëtar i plotë i BE-së.

Related posts