U.d e presidentit, Vjosa Osmani dhe kreu i VV-së, Albin Kurti për 13 vjetorin e pavarësisë kanë bërë homazhe te varri i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës.
Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani ka thënë se në këtë ditë të rëndësishme për Kosovën shkuan për ta nderuar arkitektin e pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova.
Osmani ka thënë se ishte Rugova ai që unifikoi kërkesat e qytetarëve të Kosovës për pavarësi, liri dhe që i hapi dyert e botës në mënyrë që zëri ynë të dëgjohet kudo.
“Më lejoni të ju uroj për këtë ditë të madhe. E nderuam arkitektin e pavarësisë, presidentin historik, njeriu që unifikoi kërkesat e qytetarëve të Kosovës për pavarësi, liri dhe që i hapi dyert e botës në mënyrë që zëri ynë të dëgjohet kudo”, ka thënë Osmani.
Ndërsa kreu i VV-së, Albin Kurti ka thënë se sot kujtojnë personalitet politike, kombëtare e historike që kontribuuan në periudha të ndryshme për Kosovën.
“Sot ne kujtojmë personalitetet politike, kombëtare e historike që kontribuuan në periudha të ndryshme. Bëmë homazhe tek presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova. I falënderojmë në gjithë qytetarët që kanë kontribuuar për këtë ditë kaq të rëndësishme dhe kujtojmë të gjithë dëshmorët dhe martirët që nuk janë në mesin tonë dhe u mungon drejtësia për krimet që janë kryer”, u shpreh Kurti.