970×90
970×90
970×90

Albin Kurti bashkë me Rifat Jasharin bëjnë homazhe për viktimat në Izbicë

Albin Kurti bashkë me Rifat Jasharin bëjnë homazhe për viktimat në Izbicë

Pas homazheve te familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vazhdoi rrugën për në fshatin Izbicë të Komunës së Skenderajt, për të përkujtuar 147 viktimat e vrara nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, gjashtë prej të cilëve janë ende të zhdukur. Së bashku me Rifat Jasharin, ai nderoi të vrarët në masakrën e Izbicës. 

 Pranë Memorialit, Kryeministri Kurti tha se plagët e kësaj masakre nuk mund të mbyllen përderisa kriminelët nuk janë në burg. Gjaku i tyre ndodhet në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë, tha ai.

 “Nuk u kursyen as gratë, as fëmijët e as pleqtë. Në fakt këta edhe qëllimisht u synuan e u qëlluan, sepse Serbia me operacionin “Patkoi” synonte shfarosjen e shqiptarëve dhe zbatimin e projektit të saj gjenocidal kundër nesh”, u shpreh ai. Me keqardhje, tha ai, për gjithë këtë masakër, ku janë vrarë 147 shqiptarë, vetëm një person është arrestuar.

 

“Prokuroria e Shtetit e ka mundësinë për të përndjekur, e sistemi i drejtësisë në përgjithësi, edhe për të gjykuar në mungesë. Besoj që është e padrejtë, e padurueshme, që për masakrën e Izbicës është arrestuar vetëm një person, meqenëse kanë të drejtë të gjykojnë në mungesë”, tha kryeministri.

 

Ai përsëriti se Prokuroria e Shtetit e ka mbështetjen e plotë, të parezervë e të pa kursim të Qeverisë së Republikës, që kriminelët e luftës që na i vranë gratë, fëmijët e pleqtë të cilët e donin tokën dhe lirinë e vetë, të jenë prapa grilave, në mënyrë që të kemi drejtësi dhe dalëngadalë të na mbyllen plagët.

 

Të pranishëm në homazhet në Izbicë ishin edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zëvendësministri i Punëve të brendshme, Bardhyl Dobra dhe zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Mevlud Sinani.

 

Related posts