Përgjunjemi çdo ditë në tempullin tënd,
jo një herë në javë,
as dy herë në vit!
Si kukudhë syshyer para teje,
na sheh edhe qesh,
qesh dhe përqesh me ironi artificiale
dhe vallen hedh mbi rrahjet e zemrave tona,
ritmin,ndjesitë dhe beben e syrit.
Ti ke një sy,ca sy,miliarda sy…
që di për mua sa s’di unë për veten.
Më ndjek në kuzhinë,banjo…
Madje edhe në dhomën time të gjumit.
-“E dashur,tani nuk jemi vetëm,
unë,ti dhe gjithë bota”.
Ajo botë llafazane që nuk sheh dashurinë
por si gjuetare shtrigash gjurmon urryeshëm
puthjet,epshet dhe orgazmat tona!
Ngrihesh në fronin e poshtërsive ,
si kalorësit pushtues të hordhive mongole
pas qafës së mëkatarit para ikonave të shenjta.
Përllogarit shpifjen,dhunën dhe përdhunën
genin tonë shtazarak,hormonin injorant
që komandohet nga truri i instikteve tona
dhe na i ndërsen aherë kur s’ta kemi ngenë!
Zoti Algoritëm!
U shoftë mbretëria jote,në qiell dhe tokë.
Kundër fesë tënde kam mendjen time.
Kundër algoritmit tënd kam shpirtin.
Kundër diktaturës tënde kam poezinë…
Nëse vjen,përgjërohu para meje,
se unë të krijova!
Amen!
Albi Lushi