Gjuha ofenduese e kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, e përdorur ndaj gazetarit, Shkumbin Kajtazi, ka ngjallur reagime të mëdha në opinion.
Lajmi.net ka kontaktuar edhe me zyrtarë nga partia e Bahtirit, për të marrë edhe qëndrimin e tyre lidhur me rastin.
Sekretari i kësaj partie, Vesel Makolli, ka thënë për lajmi.net se ani pse nuk është në dijeni për një rast të tillë, qëndrimet e AKR-së dihen pavarësisht se kush është në pyetje.
“Nuk jam në dijeni për rastin, mirëpo dihet ne se çfarë qëndrimesh kemi pavarësisht se kush është në pyetje, dhe e drejta e individit duhet të respektohet”, ka thënë Makolli.
E edhe pse ai nuk beson se një gjë e tillë ka ndodhur dhe se rasti duhet të shikohet më gjerësisht, Makolli tha se secili individ duhet të respektohet, e në veçanti gazetarët.
“Nuk po e besoj se ka ndodhur një gjë e tillë, mirëpo qëndrimet e AKR-së dihet, se duhet të respektohet çdo individ e lëre më gazetarët, na jemi një shoqëri demokratike dhe pluraliste”, përfundoi Makolli.
Në bazë të raportimit të gazetës Metro, Bahtiri ka sharë dhe ofenduar gazetarin e këtij portali, Shkumbin Kajtazi.
Ky i fundit ka bërë të ditur se rastin e ka paraqitur në polici.