
Adriatik Kelmendi ia ka nisur punës së re në Klan Kosova. Një ditë më parë, Kelmendi bëri një postim të gjatë ku shpjegoi rrugëtimin e tij në gazetari. Foli fjalë të mira për ish-shefat e tij dhe paralajmëroi punën e re.
Sot, gazetari Adriatik Kelmendi, pronar i dy kompanive të marketingut “Kelmedia” dhe “ProCon Group L.L.C”, e ka zyrtarizuar kalimin nënë kompaninë e Shkëlqim Devollit.

Autori i emisionit “Rubikon” pasi ishte larguar nga pozita e Kryeredaktorit në KTV kishte vazhduar të mbante emisionin në këtë televizion si produksion i jashtëm.
Nuk ishte larguar nga KTV’ja pasi Kelmendi ka pasur afërsi me themeluesin e Kohës, Veton Surroin, i cili ka shkuar për t’u intervistuar në shumicën e herëve në “Rubikon”.
Gazetari i ardhur nga Peja në Prishtinë pritet të vazhdojë karrierën pikërisht te media që lidhet me biznesmenin dukagjinas, Shkëlqim Devollin, i cili ka në pronësi Klan Kosovën.
Kjo lëvizje e Kelmendit ka ardhur pasi Baton Haxhiu u largua nga Klan Kosova ku ka ushtruar pozitën e Drejtorit dhe themeluesit të televizionit.
Ende nuk është sqaruar deri në fund nëse largimi i Haxhiut lidhet me përfundimin e kontratës apo me faktin se drejtori i deridjeshme i televizionit kishte prishur punët me Vetëvendosjen, anëtarët e së cilës refuzojnë të shkojnë në Klan.
42-vjeçari nisi karrierën në gazetari në Koha Ditore. Në moshën 21 vjeçare ishte bërë redaktor i rubrikës së kulturës ndërsa dy vjet më vonë redaktor përgjegjës i gazetës. Shkollimin për gazetari e ka filluar në Tiranë. Një specializim e ka përfunduar në Britani të Madhe. Aktualisht është edhe ligjërues në një universitet privat.
Klan Kosova në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve figuron se është në pronësi të “Seine group”.