
Tash e dy javë ka nisur në Klan Kosova transmetimi i një reality show të ri, “Big Brother Vip Kosova”. Ky emision është diskutuar shumë, por dikur, ndonjëra nga spektaklet e këtij formati, duket se nuk pëlqehej as nga drejtori i tanishëm i Klan Kosova, Adriatik Kelmendi.
Në vitin 2014, ky kishte bërë thirrje për “pëlqime” dhe “shpërndarje”, nga ata që mendojne se “Big Brother” është emision i mërzitshëm.
“Like dhe share nëse mendoni se Big Brother është shndërruar në emisionin më të mërzitshëm në televizionet shqiptare.” – shkruante ai.

Vlen të theksohet se pikërisht dje, Kelmendi i ka reaguar ashpër kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, pasi ky kritikoi emisionet si “Big Brother”.
Kelmendi ka thënë se këto komente flasin për pafuqinë e institucionit që e drejton Kraja.
“Kur kryetari i një Akademie Shkencash dhe Artesh lemeritet për ndikimin që mund ta ketë një emision i vetëm televiziv (në kohën kur ekziston telekomanda dhe mija kanale televizive), kjo jo domosdoshmërisht flet për fuqinë e televizionit, sa flet për pazotësinë dhe pafuqinë e folësit dhe institucionit të drejtuar prej tij!” – shkroi ai.