21 marsi i 2018-ës do të mbahet mend nga kosovarët. Për shumicën si një datë e rëndësishme kur u vendos për shpërthimin e izolimit, ndërsa për një pakicë politike si një moment kur Kosova i fali tokë Malit të Zi. Por, kush i dha zgjidhje dhe u bë vota e 80-të për procesin që i liron kosovarët nga getoja
Adem Hodza ditëve të fundit ka qenë njeriu më i kërkuar në Kosovë. Më së shumti e kanë lypur politikanët për shkak të votës së tij vendimtare, por edhe gazetarët. Por, ai u ka ikur me sukses telefonatave nga mediet, ndërkohë që në telefonin e tij është paraqitur bashkëshortja, duke dhënë përgjigje jo fort të besueshme. “Ademi është në Kuvend, nuk i merr telefonat me veti kur ka seanca”.
Por, kolegët e tij politikanë ishin më të suksesshëm në “kapjen” e Ademit.
Hodza është anëtar i partisë së goranëve (JGP), por që në Kuvend është pjesë e grupit parlamentar të Listës Serbe.
Express kishte mësuar se Hodza ishte pajtuar që ta votojë Marrëveshjen me Malin e Zi, pas një takimi që e kishte zhvilluar më parë me nënkryetarin e AAK-së, Pal Lekajn, njëherësh edhe ministër i Infrastrukturës.
Madje, kjo ishte fuqizuar edhe më shumë nga fotografitë e publikuara në llogarinë e Pal Lekajt në rrjetin social Facebook.