Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar përgjegjësi politike për “mafinë energjetike”, pasi të mërkurën u arrestua Nagip Krasniqi, kryeshef ekzekutiv i KEK-ut.
Deputeti opozitar tregoi se kanë kërkuar në vazhdimësi shkarkimin e gjithë udhëheqjes së KEK-ut, “militantë partiak të vendosur nga partia në pushtet – pikërisht për shkak të një skandali si ky që kishte nisur nga korriku i vitit 2022”.
“Ata gjetën mbrojtjen vetëm sepse ishin të partisë. Të njëjtit, pas dëmeve milionëshe ndaj vendit, ndodhen sot në pranga të Policisë”, shtoi ai në Facebook.
Sipas tij, tani shkarkimi është i vonshëm. “Përgjegjësia politike për vendosjen, mbrojtjen dhe lejimin e përfitimeve milionëshe të mafisë energjetike është domosdoshmëri. Kjo përgjegjësi ka adresë vet Qeverinë”.
Abdixhiku tha se “blloku A5 i KEK-ut është jashtë funksionit tash e 10 muaj”, kurse mirëmbajtja e thjeshtë e tij nuk do të merrte kohë më shumë se 60 ditë.
“Ishte interes i mafisë energjetike që ky Bllok të mos prodhonte rrymë. Sepse, për aq kohë sa ishte jashtë funksionit, Kosova detyrohej të importonte energji. Vetëm gjatë 11 ditëve të para të prillit, Kosova kishte importuar plot 5.4 milion euro rrymë. Nuk ka një biznes tjetër, ku 5.4 milionë euro mund të gjenerohen për vetëm 11 ditë”, shkroi ai në Facebook.
“Mjaftueshëm për të mbuluar 45 mijë pensione, apo ndërtuar 9 çerdhe për fëmijë – të djegura për vetëm 11 ditë”.