
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kjo parti do të fillojë të merret me zgjedhjet lokale, shkruan Gazeta Projekti.
Sa i përket ngërçit të krijuar, Abdixhiku ka thënë se ata kanë dhënë një zgjidhje dhe se propozimi i tyre është aty kurdo që janë gati tjerët.
Ai ka bërë me dije se ka thirrur në takim kryetarët e degëve të LDK’së për të nisur procesin konsultativ për zgjedhjet lokale.
“Deri atëherë, përtej gjithë bllokadës që na shërbehet pa vizion, përtej mbledhive repetitive 48 orëshe pa ndonjë qëllim, LDK do të merret me proceset e veta përpara, aty ku s’mund të na kurthojnë. Do të merret me Zgjedhjet Lokale. Prandaj, sot kam thirrur në takim të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së, për të nisur procesin konsultativ e përgatitor mbi Zgjedhjet Lokale 2025 që do të mbahen këtë vjeshtë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai tha se po hyjnë në këtë proces me plot përgatitje.
“Si fituese e zgjedhjeve të fundit lokale, me 9 komuna në qeverisje dhe me 206 këshilltarë lokal, po himë në këtë proces me plot vullnet e me plot bindje. Po himë dhe me plot përgatitje. Plot 6 muaj kohë. Prandaj, nga sot nisim konsultimet e brendshme për kandidatët për Kryetarë të Komunave e për këshilltarë lokal. Për nominimin e njerëzve me integritet e vullnet për të shërbyer në secilin qytet. Të gjithë ata që duan të përfaqësojnë vizionin tonë politik, vlerat tona, programet tona; të gjithë ata që duan t’i përfaqësojnë qytetarët tanë – i ftoj të bëhen pjesë e këtij procesi”, ka shkruar Abdixhiku.
Lidhur me propozimin e tij për Qeveri të tranzicionit, PDK dhe AAK tashmë i kanë kthyer përgjigje.
Pro një takimi janë shprehur PDK dhe AAK, por që të dy këto parti kanë thënë se preferojnë më shumë një “qeveri të opozitës”. Eksponentë të Vetëvendosjes e kanë kundërshtuar ashpër këtë propozim, duke u lëshuar edhe në sulme ndaj LDK’së, por komunikatë të lëshuar nga partia s’ka ende. Ngërçi po vazhdon. Dje dështoi edhe seanca e 12’të për konstituimin e Kuvendit.