Disa persona kanë vdekur kur një kamion ka goditur një turmë njerëzish në qytetin perëndimor të Gjermanisë, Muenster, të shtunën.
Për këtë akt, ambasadori i Kosovës në Berlin, Astrit Zemaj në një prononcim për Indeksonline ka thënë se janë duke e përcjellur ngjarjen pas sulmit që ndodhi sot.
Ai ka theksuar se për momentin nuk dihet identiteti i viktimave dhe as nuk kanë informacione nëse mund të ketë ndonjë shtetas të Kosovës aty.
“Prandaj jemi në kontakt të vazhdueshëm me MPJ e Republikës së Kosovës dhe me autoritet gjermane të cilat deri ne këto momente nuk na kanë dhënë shumë detaje rreth identitetit të viktimave. Deri me tani nuk është raportuar as nga bashkëvendësit tanë për ndonjë qytetar të Republikës së Kosovës i cili mund të këtë ndodhur aty ku u krye ky sulm makabër”, ka thënë Zemaj.
Ai ka shtuar se Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani e dënon ashpër ketë vepër të ultë dhe shprehë ngushëllimet për familjet e viktimave ndersa të lënduarve ju uron shërim të shpejtë.