
Ambasada amerikane nuk ka siguruar një ulëse për kryeministrin Haradinaj gjatë festës së 4 Korrikut, raporton T7
Ftesë për të marrë pjesë kishin të gjithë.
Por trajtimi që ju bë mysafireve gjatë ceremonisë së përurimit të objektit të ri të Ambasadës Amerikane në Kosovë, të enjten pasdite ishte ndryshe.
Në rreshtin e parë, krahas personalitete nga Amerika qëndronin të ulur presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Kurse mbrapa në këmbë për orë të tëra ka qëndruar kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj.
Kreu i qeverisë madje nuk u ftua as kur përfunduan fjalimet e ku u cakërruan gotat.
Haradinaj nuk u ftua as në prerjen e shiritat të ambasadës më të madhe në Ballkan.
T7 ka kontaktuar edhe Qeverinë e Kosovës, për t’i pyetur se pse Haradinaj është lënë në këmbë.
Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi ka thënë përmes telefonit se ky organizim ishte i Ambasadës Amerikane dhe nuk ka pranuar ta komentojë.
Ndërkohë T7 i ka dërguar pyetje dhe zyrës për media të Ambasadës Amerikane, por që këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje gjatë së premtes.
Haradinaj kishte pasur telashe edhe më herët me shtetin amerikan, prej se ka refuzuar heqjen e taksës ndaj mallrave serbe që hyjnë në Kosovë.
E kur ishin mbajtur Lutjet e Mëngjesit në Uashington, kryeministrit Haradinaj i ishte refuzuar fillimisht viza amerikane.