Pas LDK-së, kësaj radhe partia e Veselit është organizatore e tryezës politike ku do të diskutohen “temat e mëdha”.
Deri më tani pjesëmarrjen e kanë konfirmuar Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja.
Ismet Beqiri nga LDK edhe pse ka thënë se do të marrin pjesë, por ka shtuar se duhet që në këto takime të diskutohet edhe për zgjedhje, shkruan lajmi.net.
Nga Vetëvendosja pritet të merr pjesë Glauk Konjufca. Të paktën kështu ka konfirmuar zëdhënësja e VV-së, Tinka Kurti.
Por përkundër konfirmimit nga Kurti, deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi tha sot për lajmi.net se ende s’kanë vendosur nëse do të marrin pjesë në tryezën e organizuar nga Veseli.
Pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe kryeministri Haradinaj. Ai si kryetar i AAK-së do të jetë pjesë e këtij takimi.
Në tryezë pritet të jetë edhe Nisma Socialdemokrate por që nuk dihet kush do ta përfaqësojë këtë parti.
Kurse ende pa vendim është Aleanca Kosova e Re.
Vesel Makolli ka thënë gjatë ditës për lajmi.net se kryetari i partisë është jashtë shtetit, e për këtë nuk dihet nëse do të marrin pjesë.
Pa qëndrim zyrtar janë edhe Grupi i Deputetëve të Pavarur. Këta të fundit kanë qenë prezentë në takimin e LDK-së, por për nesër ende s’ka ndonjë vendim.
Në tryezën e thirrur nga Veseli nesër do të diskutohet për fazën finale të dialogut, Asociacionin, Ushtrinë, integrimet evropiane etj. /Lajmi.net/