970×90
970×90

A do ta bombardonin evropianët Beogradin, nëse amerikanët s’do të ushtronin presion?

A do ta bombardonin evropianët Beogradin, nëse amerikanët s’do të ushtronin presion?

Në fakt vitet e 90-ta nuk shënuan ngritjen e një superfuqie evropiane, por rënien evropiane në aspektin ushtarak krahasuar me Shtetet e Bashkuara. Konflikti i Kosovës në fund të dhjetëvjeçarit të shekullit të kaluar përvijoi hendekun në teknologjinë ushtarake.

Jashtë Evropës, sipas kritikut amerikan Robert Kagan, në prag të viteve 90-të, disproporcioni u bë edhe më i dukshëm kur u pa qartë se mundësia dhe vullneti i fuqive evropiane, individualisht apo kolektivisht, për të organizuar forcë goditëse në rajon me konflikte përtej kontinentit ishin të papërfillshme.

Gjatë krizave ballkanike diku mes viteve 90-të e më pas në Kosovë, kryeministri anglez Tony Blair ishte më i gatshëm se sa qeveria amerikane me në krye Bill Clinton, për të dërguar trupa në terren kundër Serbisë, lufta në Kosovë në pranverën e vitit 1999 bëri pak a shumë një zbulim interesant.

Gjithçka filloi mëngjesin e 15 janarit, kur në Reçak njësitet policore dhe ushtarake serbe vranë e masakruan 45 shqiptarë etnikë. Në Uashington, këshilltarët e politikës së jashtme të Presidentit Clinton ishin përplasur në “Dhomën e Situatave” rreth ndërhyrjes së SHBA-ve dhe NATO-s në Kosovë.

Sekretarja e Departamentit të Shtetit, Madeleine Albright, ndonëse nuk ishte akoma në dijeni për ngjarjen e llahtarshme që kishte ndodhur në Reçak, argumentoi se SHBA-të dhe NATO-ja duhej ta bombardonin “atë bir bushtre”, duke iu referuar Sllobodan Millosheviç-it, udhëheqësit fashist të Serbisë.

Mendimi i Albright-it për Millosheviç-in, patën thënë ndihmës të afërt të saj, ishte nxitur kryesisht nga ngjarjet që e karakterizuan Evropën e shekullit të njëzetë. Ishte një mision shumë personal sepse edhe ajo kishte përjetuar një fat të njëjtë kur iku nga Çekosllovakia pas pushtimit nazist.

“Albright, më shumë se kushdo tjetër në këtë administratë, udhëhiqet nga biografia e saj. Ajo besonte thellësisht se Hitleri dhe tiranët e tjerë mund të ishin ndalur nëse do të përballeshim më herët me ta, dhe këtë pikëpamje e ndoqi edhe në Jugosllavi”, pati thënë një diplomat i lartë amerikan.

Edhe pse aleanca ushtarake kundër Milloshević-it ishte një sukses dhe përbente rastin e parë në historinë e vet 50-vjeçare që NATO ndërmerrte një veprim ushtarak në territorin evropian, konflikti dhe lufta në Kosovë zbuloi “përçarjet” që ekzistonin në aleancë pas Luftës së Ftohtë.

Mënyra si u zhvillua lufta, sipas Kagan, pasqyroi një shpërpjesëtim ushtarak transatlantik mjaft të thellë. SHBA-të ishin furnizuesit kryesorë të municioneve. Pothuajse të gjitha municionet me saktësi të lartë të përdorura në Serbi dhe Kosovë ishin prodhuar në SHBA.

Përdorimi i teknikës së pakrahasueshme intelegjente tregoi se 99 përqind e objektivave të propozuara vinin nga burimet inteligjente amerikane. Mbisundimi amerikan në këtë luftë i shqetësonte evropiane për dy arsye. Nga njëra anë, kjo ishte një goditje që merrte “nderi” evropian.

Sikurse theksonin dy analistë britanikë menjëherë pas luftës: “Edhe Britania e Madhe e cila mburret me fuqinë e saj ushtarake, mundi të kontribuonte me vetëm 4 përqind të aeroplanmbajtësve dhe me 4 përqind të municioneve të tipit të bombave etj”.

Akoma më për t’u shqetësuar ishte fakti që varësia evropiane nga fuqia ushtarake amerikane u jepte SHBA-ve ndikim të fuqishëm, jo vetëm në mënyrën se si duhet zhvilluar lufta, por edhe mbi diplomacinë ndërkombëtare para, gjatë dhe pas luftës.

Për shembull, evropianet ishin në favor të një pauze pas bombardimeve në mënyrë që t’i lihej mundësia Millosheviç-it për t’i dhënë fund luftës. Por, SHBA-të dhe komandanti i NATO-s, gjenerali Wesley K. Clark kundërshtuan sepse veç e kishin ndarë mendjen.

Ndërhyrja humanitare në Kosovë, 1999

Pjesa më e madhe e evropianëve donin që fushata e bombardimeve të vinte pak e nga pak drejt rënies, në mënyrë që të pakësoheshin dëmet e t’i jepej mundësi Millosheviç-it për t’i dhënë fund konfliktit, para se NATO të shkatërronte gjithçka.

Por, zoti Clark sërish kundërshtoi duke deklaruar prerazi: “Sipas mendimit ushtarak amerikan, kur ne fillojmë të përdorim forcën, kërkojmë të jemi të vendosur sa më tepër që të jetë e mundur”.

Evropianet kërkonin që bombardimet të përqendroheshin mbi forcat serbe të angazhuara në spastrimin etnik në Kosovë. Por sipas zotit Clark “shumë amerikanë besojnë që mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për të ndryshuar pikëpamjet e Millosheviç-it është ta godasësh atë sa më fort të jetë e mundur”.

Edhe amerikanët megjithatë ishin të pakënaqur. Gjenerali Clark dhe kolegët e tij ankoheshin se përpjekjet kolosale për të ruajtur marrëveshjen brenda aleancës transatlantike kufizuan zhvillimin e luftës dhe pakësuan rezultatin e saj të fundmë.

Clark shpalli se nuk mund t’i paraqiste Millosheviç-it një paralajmërim të qartë dhe pa mëdyshje edhe për arsyen se më shumë shtete evropiane nuk do ta kërcënonin me sulme pa një mandat të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjë të cilën zoti Clark e quante “problem ligjor evropian”.

Për SHBA-të këto “probleme ligjore” ishin pengesa për të planëzuar e përgatitur plotësisht luftën. Gjatë luftimeve Clark dhe kolegët e tij ndjeheshin të lodhur nga nevoja e vazhdueshme për të gjetur mirëkuptim mes doktrinës ushtarake amerikane dhe asaj së cilës Clark i referohej si “kërkesa evropiane”.

Sipas pikëpamjes së zotit Clark “ne paguam një çmim në efektivitetin operacional, teksa përpiqeshim të kushtëzonim natyrën e operacionit në mënyrë që të përputhej me politikat dhe çështjet ligjore të kombeve të anëtarësuara në NATO”.

Rezultati ishte një luftë prej së cilës as amerikanët dhe as evropianët nuk mbetën të kënaqur. Në një mbledhje të ministrave të mbrojtjes të NATO-s disa muaj pas luftës, një ministër cilësoi se “mësimi që kishin marrë nga lufta në Kosovë ishte se nuk do të donin që të përsëritej më”.

Fatmirësisht, për hir të aleancës së krijuar më 1999, Clark dhe eprorët e tij në administratën Clinton, mendonin se ia vlente të sakrifikohej për hir të unitetit. Për SHBA-të ruajtja e kohezionit dhe unitetit të aleancës nuk ishte vetëm mënyrë për t’ia dalë mbanë; ishte një ndër qëllimet kryesore të ndërhyrjes.

Kur NATO bombardoi Serbinë më 1999, aleatët u përpoqën të merrnin autorizim nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, por dështuan pasi Rusia, mbrojtësja historike e Serbisë, e kundërshtoi fushatën ajrore. Megjithatë, ishin evropianët ata që së bashku me SHBA-të shkuan në luftë pa marrë saknksionim legjitim.

Gjithsesi shumë evropianë në atë periudhë ngulmonin se lufta në Kosovë ishte më se legjitime. Ata mendonin se veçanërisht Evropa kishte përgjegjësi morale të parandalonte një tjetër gjenocid në kontinentin evropian.

Nuk ishte rastësi që një prej përkrahësve më të fuqishëm të luftës dhe bombardimit të NATO-s më 1999 ishte një gjerman, Joschka Fischer. Për Fischer-in, ashtu sikurse për Gerhard Schroeder dhe Blair, sjellja barabare e serbëve ishte më urgjente se kërkesa për autorizim nga Këshilli i Sigurimit.

Diplomati anglez, Rober Cooper, do të shkruante më vonë se përgjigja evropiane ndaj situatës në Kosovë u nxit nga “kujtimet e holokaustit dhe të torturave njerëzore që solli nacionalizmi i skajshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këto eksperienca historike shërbyen si përligje për ndërhyrjen e armatosur në Kosovë”.

Fakti që ky gjenocid po ndodhte në Evropë u dha evropianëve jo vetëm një përgjegjësi më tepër, por u dha edhe një leje të vecantë, për të shkuar në luftë e për ta ndaluar atë. Pra historia dhe morali fituan mbi parimet tradicionale dhe ligjet ndërkombëtare në këtë rast.

“Do të ishte ndryshe për Evropën të ndërhynte ushtarakisht në një tjetër vend, me një tjetër histori. Rendi evropian në mënyrë të vecantë është i bazuar në historinë evropiane dhe në vlerat që nxjerrin nga historia”, vazhdonte tutje Cooper.

Gjatë luftës, gjenerali Clark, si pjesa më e madhe e kolegëve të tij, shprehu mospëlqim ndaj çështjeve ligjore evropiane. Sikurse kujton Dominique De Villepin, ish-kryeministër i Francës, në librin e tij “Drejt një Bote të Re (2006)”:

“Amerikanët bashkë me Britaninë e Tony Blair e shikonin Kosovën si rast të parë të së drejtës së tyre si fuqi të mëdha për të ndërhyrë pa patur mandat të Kombeve të Bashkuara. Ndërsa ne e pamë si një përjashtim, të përligjur nga mbështetja e gjerë dhe kërcënimi i një katastrofe humanitare”.

Related posts