Nëse një foshnjë lind në QKUK e që diagnostikohet me probleme të zemrës, ajo vështirë se do të mund ta marrë trajtimin e duhur pranë këtij institucioni shëndetësor. E gjithë Qendra Klinike Universitare e Kosovës nuk ka kushte e as kuadro që të bëjë diagnostikimin e trajtimin e fëmijëve me sëmundje të zemrës. Këtë problematikë pritet që ta zgjidhë ndërtimi i spitalit kirurgjik pediatrik pranë QKUK
Elda Alshiqi, në prill të këtij viti i ka mbushur pesë muaj jetë. Ajo u lind në muajin tetor në QKUK. Por, pas kontrolleve të mjekëve të Klinikës së Neonatologjisë, u konstatua se Elda nga Prishtina kishte disa probleme me zemër. Kontrollet dhe pastaj operimi për të nuk mund të bëheshin në Kosovë. Andaj familja e saj kishte kërkuar ndihmë financiare për ta dërguar për shërim jashtë Kosovës.
Shërimi i së njëjtës ishte bërë në Shqipëri. Tash, kur i Elda ka mbushur plot pesë muaj, familjarët e saj thonë se ajo gëzon shëndet të plotë.
Por, si rasti i kësaj vogëlusheje ka edhe shumë të tjerë në Kosovë. Asnjë nga këto foshnja që diagnostikohet me sëmundje të zemrës nuk po mund ta marrë trajtimin në vendlindje. Kjo për shkak të mungesës së spitalit Kardiokirurgjik, i cili do të mundësonte trajtimin e këtyre rasteve. Të gjitha këto raste do të trajtohen në Kosovë vetëm pasi që të ndërtohet spitali kirurgjik pediatrik në QKUK, projekt ky i cili ka më shumë se tre vjet që ka filluar e që është donaciohn i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Por për mungesën e këtij shërbimi pranë QKUK’së, për Express, ka folur edhe drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci. Ai ka deklaruar se ky shërbim është i domosdoshëm që të funksionalizohet në QKUK.
“Është më se e domosdoshme që të avancohet shërbimi i kardiokirurgjisë në kuadër të QKUK’së, për shkak se të gjitha foshnjat që lindin me probleme kardiologjike dhe kanë një nevojë për tretman duhet të trajtohen jashtë vendit”, thotë Gojnovci për Express.
Ai shton se të gjitha rastet e tilla marrin rekomandimin për trajtim jashtë Kosovës.
“Ka raste të foshnjave që po lindin me probleme ne zemër. Për këto raste jepen menjëherë rekomandimet pas konsultave se të njëjtët kanë nevojë urgjente për trajtim jashtë Kosovës”, thotë Gojnovci.
E shumica e foshnjave që lindin me probleme në zemër trajtohen në Shqipëri. Por për transportimin e këtyre rasteve në spitalet jashtë Kosovës, klinika e Neonatologjisë, e as Ministria e Shëndetësisë, nuk ofrojnë mjete transportuese për to. Të gjitha duhet që t’i gjejë vetë familja.
“Varësisht prej anomalive dhe gjendjes së foshnjës ato transportohen me avion ose mjete private. Ndërsa ato që janë të varura nga aparatura, duhet pajisje speciale që t’u bëhet trajtimi. Me sa kemi informacion ne, transportin për këto raste nuk i trajton Ministria e Shëndetësisë”, thotë për Express drejtori i Neonatologjisë Gojnovci.
Rastet e foshnjave që lindin me këto probleme pranë QKUK’së nuk janë të vogla. Prandaj, Gojnovci u bën thirrje institucioneve që të mundohen të gjejnë zgjidhje rreth shërbimit kardiokirurgjik për fëmijë. “Sa më shpejt që të krijohet një shërbim i tillë do të jetë shumë më profitabil. Trajtimi pranë QKUK’së për këto raste është i domosdoshëm”.
Sipas autoriteteve shëndetësorë, në Kosovë janë afro 400 fëmijë në vit që lindin me anomali në zemër. Prej tyre rreth 200 kanë nevojë për intervenim kirurgjik, shërbim të cilin u duhet ta marrin jashtë vendit. Për këtë punë Ministria e Shëndetësisë nuk ka fond të veçantë. Këto raste mbulohen nga fondi 6 milionë eurosh, i ndarë për trajtim të pacientëve të cilëve u ndihmon të marrin shërbime jashtë vendit nëse ato sëmundje nuk mund të shërohen brenda Kosovës.
Zgjidhjen e këtyre problemeve pritet që ta bëjë ndërtimi i spitalit kirurgjik pediatrik. Por ky projekt ka më shumë se tre vjet që ka filluar që të nderohet. Ndërkaq i njëjti nuk pritet që të përfundojë edhe së paku për tri vite. Kështu i ka thënë Expressit pediatri Muharrem Avdiu.
”Duhet të presim edhe tri vite që të bëhet spitali i ri”, ka deklaruar ai.
Përndryshe, ndërtimi i spitalit ishte planifikuar që të nisë që në muajin mars të vitit që shkoi.
Ky spital pritet që të kushtojë 22 milionë euro. Ai do të ketë një hapësirë prej rreth 10 mijë metra katrorë dhe do të integrojë të gjitha shërbimet shëndetësore që kanë të bëjnë me fëmijët, përfshirë shërbimet pediatrike, shërbimet e kirurgjisë pediatrike, hemato-onkologjinë e fëmijëve, diagnostikën, shërbimet emergjente dhe shërbime të tjera