
Pasi dje u raportua për interesim nga dy gjigantet turke Galatasaray dhe Besiktas për Blend Baftiun, sot gazeta turke Takvim shkruan se Galatasaray është duke e bërë gati ofertën zyrtare për yllin e Ballkanit.
Blend Baftiu ishte lojtari kryesor në skuadrën e Ballkanit që befasoi tifozët e futbollit kosovar këtë sezon me formën mbresëlënëse dhe luftën për titull deri në javën e parafundit të sezonit, transmeton Gazeta Express.
Baftiu – i cili luajti për Kombëtaren e Kosovës në miqësoren kundër Suedisë në janar – e fitoi Këpucën e Artë të Superligës së Kosovës, pasi i shënoi 19 gola në 31 ndeshje të zhvilluara.
Paraqitjet e Baftiut këtë sezon, jo vetëm golat, kanë bërë që Galatasaray dhe Besiktas të interesohen për 22-vjeçarin, ndërsa gazeta turke Takvim tani shkruan se Galatasaray po e bën gati ofertën zyrtare për Ballkanin.
Përderisa ish-futbollisti i Prishtinës dhe Skënderbeut e pati një sezon mbresëlënës, ai ka rënë në sy të turqve edhe përmes radhitjes në mesin e 50 talenteve më premtuese në futboll, listë kjo e publikuar nga UEFA në shkurt.

Ai do të ketë mundësi ta dëshmojë veten edhe sonte, në ndeshjen e fundit të sezonit 2019/20. Baftiu pritet të jetë titullar në finalen e Kupës së Kosovës kundër ish-klubit të tij, Prishtinës. /Gazeta Express/