Pas më shumë se 10 orë debat të ashpër e polemika ka përfunduar seanca e Kuvendit ku po tematizohej dialogu Kosovë – Serbi.
Seanca e Kuvendit të Kosovës u karakterizua kryesisht me polemika të ashpra midis qeverisë dhe opozitës, shkruan lajmi.net.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje gjatë këtij debati kanë deklaruar se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke, derisa në anën tjetër, kryeministri Hoti u shpreh se platforma e tij për dialog është Kushtetuta e Kosovës.
Kryeministri Hoti gjithashtu u akuzua nga deputetët për mungesë të transparencës karshi dialogut me Serbinë, e ky i fundit iu tha deputetëve të mos ngrisin konspiracione sepse gjithçka në dialog është e hapur.
“Po kërkoni transparencë të plotë. Si bëhet ndryshe transparenca? Edhe në seancë të mbyllur do t’ju them njëjtë. Ajo që kam thënë është e vërteta e plotë dhe s’ka asgjë përtej saj. Takohem me presidentin, ju raportoj juve, shkoj te Akademia dhe shoqëria civile. Mund të vijë edhe në grupet parlamentare. Tjetër gjë nuk di si me ju qas”, tha Hoti.
Kritikat ndaj Hotit ishin të shumta. Uran Ismaili nga PDK i tha Hotit se nuk ka as ekip, strategji e as përmbajtje.
“Nuk kemi strategji, nuk kemi ekip, nuk kemi përmbajtje. Pra, ne nuk jemi në gjendje në çfarë matrice me ju analizua juve dhe strategjinë tuaj, nuk e dimë çka po doni me analizua, përpos që po vjen dhe po thua unë e thash këto, këto, këto, dhe nënkuptimi i kësaj është që Serbia është pajtuar, mirëpo po ju tradhton Lajcaku ngapak, prandaj më e mirë është të jesh më transparent me Kuvendin. Mos të marrim lajme nga Lajçaku, të marrim nga kryeministri i vendit. Dialogu nuk është mes Avdullah Hoti dhe Serbisë, është mes Kosovës dhe Serbisë, nuk na ke armiq në Kuvend, na ke kundërshtar politik”, tha ai.
Hotit i është kërkuar të jetë më transparent sa i përket dialogut, derisa ka pasur edhe një polemikë të ashpër mes tij dhe kryeparlamentares Vjosa Osmanit.
Ajo i tha Hotit se e ka shkelur Kushtetutën me emërimin e Skënder Hysenit si koordinator nacional për dialogun, ndërsa Hoti tha se është në kompetencë të tij marrja e vendimeve të tilla.