970×90
970×90
970×90
970×90

Hoti para deputetëve: Nuk do qahem para jush për teoritë konspirative për thikat mbi harta

Hoti para deputetëve: Nuk do qahem para jush për teoritë konspirative për thikat mbi harta

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka raportuar sot në Kuvendin e Kosovës në lidhje me takimet që ka pasur në Bruksel e Paris, e që ndërlidhen me procesin e dialogut me Serbinë.

Duke folur para deputetëve, Hoti ka treguar parimet e qeverisë së tij në këtë proces.

“Integriteti territorial është i pacenueshëm nga çfarëdo përpjekje. Çdo cënim është goditje në qenësinë e Kosovës, që është e papranueshme. Organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket. Prekja në këtë organizim do të ishte rruga më e shkurtë për ta defunksionalizuar Kosovën. Marrëveshja do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën”, tha ai.

Ai tutje tha se në takimin e parë ka nisur draftimi i marrëveshjes  në Bruksel, e që ndërlidhet edhe me çështjen e personave të pagjetur.

“Nën mesazhin e fortë të dy liderëve botërorë dhe me afata të qarta kohore, u dakorduam edhe në video-konferencë. Në Bruksel më 16 korrik ka filluar draftimi i marrëveshjes, për personat e pagjetur. Kjo temë është trajtuar me kërkesat e qarta që janë në përputhje të plotë me Ligjet Ndërkombëtare, përfshirë ofrimin e të gjitha burimeve njerëzore. Kemi kërkuar shpalosjen e arkivave të ish-Jugosllavisë, lidhur me dyshimin për shpërndarjen e trupave”, tha ai.

“Kemi kërkuar që në marrëveshje të përfshihen edhe katër liritë themelore të BE-së. Për qeverinë e Kosovës nuk ka dhe nuk do të ketë dialog teknik. Të gjitha takimet në ditët në vijim do të jenë për njohje reciproke dhe normalizim të raporteve. Unë do iu mbajë të informuar gjatë gjithë kohës në këtë proces”, tha tutje ai.

Hoti përmendi edhe fjalitë e paraardhësit të tij në qeveri, Albin Kurti, për thikat mbi harta, të cilat ai i quajti teori konspirative, dhe për të cilat tha se “nuk do të qahet”.

“Nuk do të qahem para jush me teori konspirative për thika mbi harta. Unë kam caktuar koordinatorin për dialog në përputhje me zyrën e qeverisë së Kosovës. Zoti Hyseni ka përvojë të madhe në diplomaci. Ai është personi kryesor që ka përfaqësuar Kosovën në GJND. Ai punon sipas udhëzimeve të mija dhe unë i besoj atij”, tha ai. 

Related posts