Anton Quni, bashkëluftëtari i Heroit Kombëtar, Agim Ramadani, ka thënë se nuk e ka të lehtë të flasë për bashkëluftëtarët e tij.
“Ne bashkëluftëtarët nuk e kemi të lehtë të flasim për shokët e rënë në betejat për liri. Nuk i gjejmë fjalët e duhura që të përmbledhim tërë kompleksitetin e një personaliteti që me jetën dhe veprën e vet bëhet pjesë e historisë kombëtare”.
“Edhe po t’i gjejmë këto fjalë, kemi frikë që na përfshin emocioni, fjalët mbesin në gjysmë dhe kështu rrëfimi mbetet një tregim i papërfunduar. Sidomos kur rrëfehemi për shokët që i dhanë jetë dhe frymë betejës dhe çdo fitore”.
Quni në Manifestimin Tradiconal “Ditët e Shqipes” për nder të Ditës së Dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani” ka rrëfyer një ngjarje për heroin Agim Ramadani, njofton Klan Kosova.
“Sot, dua të ndajë një ngjarje me ju. Njësiti po bëhej gati për marshim, një ushtar ankohej se pushkën e kishte jo funksionale, në fakt pushka e tij ishte e ndryshkur dhe kishte mangësi të tjera”.
“Agimi ia rrëmbeu nga dora dhe ia dha armën që mbante vetë, ajo ishte pushkë e mirë dhe funksionale”.
“Ushtari po shikonte i habitur ndërkohë që Agimi i premtoi që me atë pushkë gjysmake, qysh në betejën e parë do t’i rrëmbejë armën më të mirë armikut”.
“Ashtu edhe ndodhi. Pjesën tjetër të luftës, Agimi e vazhdoi me armën që i kishte marrë armikut dhe kjo u bë shenja dalluese e tij”.
“Tregime dhe ngjarje të tilla janë të panumërta, çdo njeri kujton ndonjë ndodhi me Agimin, copëza të shkëputura që pasurojnë shpirtin e tij dhe që secila bart edhe porosi”.
Quni ka thënë fjalë të mëdha për Agim Ramadanin i cili u flijua në “Betejën e Koshares” duke e përkufizuar edhe si “mrekulli nga Zoti”, njofton Klan Kosova.
“Për ne, bashkëluftëtarët nuk është e mjaftueshme që ta përkufizojmë me fjalor ushtarak figurën e një heroi. Trim, guximtar, strateg janë pak, na duket sikur nuk e kanë fuqinë për të përshkruar madhështinë e një shoku të luftës”.
“Nëse një poet do të provonte të përshkruante jetën dhe veprën e Agim Ramadanit, do ta përmblidhte duke thënë se ai ishte vetë poezia, një botanik do ta emëronte lule e rrallë që hapet një herë në shekull”.
“Kompozitori do të mund të kompozonte tinguj qiellor për shpirtin e Agimit dhe kjo do të ishte melodi që do të pushtonte vetë qiellin, arkitekti do ta quante Agimin kala e pamposhtur, një historian do të sillte përfundimin se Agimi ishte vetë gjaku i Skenderbeut, koreografi do të thoshte se Agimi udhëhoqi vallen e lirisë”.
“Homeri do ta vendoste krahas Hektorit, Akilit dhe Odiseut derisa në veprat e Fishtës, zanat do t’i bënin roje nderi”.
“As unë dhe asnjeri nuk do të arrijë t’i themi të gjitha se ai ishte i përmasave që nuk arrihet të përshkruhet, as me gjitha fjalët e fjalorët e civizilimeve në këtë botë”.
“Ishte luftëtar, vëlla, mik, i qetë dhe i vrullshëm, i afërt dhe i largët, sa i heshtur po aq edhe bashkëbisedues, i thjeshtë dhe kompleks, ishte mister në vete”.
“Zoti ka vazhduar të bëjë mrekulli. Mrekullia e tij ishte Agimi, ishte dhuratë nga Zoti”.
“Agimi i bëri të gjithë tokë e i shkriu në një. Ishte frymëzim i dërguar nga lart ndaj atyre që na përbuznin, masakronin e dërgonin nëpër rrathët e ferrit”.
“Vetëm të bashkuar, do të gëzojmë dhe jetojmë në paqe se vetëm të bashkuar do të mund ta ruajmë dhe gëzojmë lirinë e fituar me gjak, me gjakun e Agimit”.
“Kjo ishte porosia e tij e fundit, më thuani ju a nuk ishte Agimi një mrekulli, dhuratë e dërguar nga Zoti?”.