Periudha 40 vjeçare e udhëheqjes së tij në Shqipëri, u karakterizua nga eliminimi i opozitës, dënimet e kundërshtarëve të tij politik me vdekje ose burgime të gjata dhe dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin rreptësishtë nga policia dhe Sigurimi i Shtetit.
Hoxha ka lindur më 16 tetor 1908 në lagjen “Palorto”, Gjirokastër. Ai ishte udhëheqësi komunist i Shqipërisë nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985, si sekretar i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë. Ai ishte kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura nga viti 1944 deri në vdekjen e tij.
Shërbeu si kryeministër i Shqipërisë, 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i jashtëm dhe si ministër i mbrojtjes.
Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë, ai pëson një infarkt në zemër në vitin 1972, më pas një tjetër në vitin 1973, kurse më 11 prill 1985 ai ndërron jetë.
Në një ceremoni madhështore Enver Hoxha u varros në varrezat e dëshmorëve ku iu bënë nderimet e larta si për çdo udhëheqës. Por pas rënies së komunizmit varri i tij u zhvendos tek varrezat në Sharrë, ku ndodhet edhe sot.
Periudha 40 vjeçare e udhëheqjes së tij në Shqipëri, karakterizohet me akuza dhe mbështetje, derisa një palë e shohin si hero, pala tjetër e akuzojnë për eliminime të kundërshtarëve politik, dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin rreptësishtë nga policia dhe sigurimi i shtetit. /Periskopi/