Sot pak para mesditës është mbajtur video-samiti i Parisit i organizuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në këtë Samit është diskutuar për temën kryesore, dialogun Kosovë-Serbi, dhe kanë marrë pjesë Josep Borell e Mirsolav Lajcak dhe kryeministri Avdullah Hoti e Aleksander Vucic.
Lidhur me këtë Samit ka pasur komente edhe nga deputetë të Bundestagut. Deputetja Renata Alt nga FDP (Freie Demokratien), e cila i ka thënë kancelares gjermane, Angela Merkel, që të marrë lidershipin e procesit dhe të mos lejojë hapsira për presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Alt thotë se problemet të cilat dolën dhe penguan takimin e aranzhuar nga Richard Grenell, tashmë kanë krijuar një shans për Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian që të lëvizin gjërat përpara, dhe sipas saj, Merkel, nuk duhet që t’ia lë këtë punë në dorë Macronit, por që të tregojë fuqinë e saj dhe të shtyjë palët drejt negociatave dhe marrëveshje ligjërisht të obligueshme.
“Duke qenë se iniciativa e Grenellit për një samit paqeje mes Kosovës dhe Serbisë ka pësuar çarje, shansi tashmë është për BE’në dhe Gjermaninë, për të lëvizur gjërat rreth konfliktit.Kancelarja Merkel në Samitin e sotëm nuk duhet t’i lejojë Macronit hapësira, por duhet të tregojë lidership dhe të negocioj për marrëveshje ligjërisht të obligueshme”, ka shkruar Alt.
Pas video-samitit ndërkohë është lëshuar një komunikatë e përbashkët e Gjermanisë dhe Francës, në të cilën tregohet se më 12 korrik do të ketë vetëm një video-samit, derisa më 16 korrik do të jetë takimi i nivelit të lartë në Bruksel /Express/