![Fillon takimi në mes Hotit dhe Macron](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2020/07/2939992B-55A6-497B-9756-CA281FA904D1.jpeg)
Kryeministri Avdullah Hoti, ka nisur takimin me presidentin francez, Emmanuel Macron në Paris.
Takimi Hoti-Macron ka filluar nga ora 11:30 në pallatin presidencial të Elizesë. Një gjë të tillë e ka konfirmuar, Xhavit Beqiri, nga Kryeministria.
“Kryeministri Hoti bashkë me presidentin Macron do të nisin takimin në ora 11: 30. Pas këtij takimi, zyra e Kryeministrit do të tregojë se për çfarë është diskutuar”, ka thënë ai për Express.
Ky takim mes Hotit dhe Macronit në kryeqytetin francez, i paraprin Samitit virtual të Parisit, në të cilin do të marrë pjesë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e që do të mbahet më 10 korrik.
Ndërkohë pas kësaj video-konference me Merkel dhe Macron, Hoti do të udhëtojë drejt Brukselit më 12 korrik për të marrë pjesë në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili do të ndërmjetësohet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell.
“Në takim do të rinisin diskutimet për të punuar në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjore e obligative për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u marrë me të gjitha çështjet e pazgjidhura”, thuhet në njoftimin e Brukselit.
Kjo iniciativë e ngjeshur e Brukselit vjen pas dështimit të takimit të Washingtonit i cili ishte iniciuar nga emisari i Trump, Richard Grenell.
Tashmë nga Washingtoni pritet të caktohet një datë e re e takimeve, derisa në Kosovë me gjasë do të ketë një rikompozim institucional, pasi që presidenti i vendit nuk do të mund të udhëtojë drejt SHBA-së, pas bërjes publike të propozim-aktakuzës së Speciales.