Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur për akuzat e Speciales ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli.
Në një konference për medie, ai ka thënë se kjo që ka ndodhur sot është si pasojë e gabimeve që janë bërë më herët. “Pasnesër bëhen pesë vite kur pat dështuar amandamentimi i Kushtetutës për nenin 24-të që i hapte rrugë formimit të Gjykatës Speciale, me 3 gusht sivjet bëhen pesë vite kur i njëjti nen si amendamentin kaloi pas trysnisë së paparë që u reflektua me përdredhje duarsh të deputetëve. Ajo çka po shohim sot është pasojë e re e gabimeve të mëhershme”, ka thënë Kurti.
Duke mos përmendur emrat e Thaçit dhe Veselit, ai ka thënë lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës është e drejtë. “E di që lufta e UÇK-së, është luftë e drejtë është luftë kundër një agresori dhe okupatori i cili kishte kryer gjenocid në vendin tonë dhe se luftëtarët e lirisë veteranët e invalidët e UÇK-së edhe politikisht edhe historikisht janë në të drejtën e tyre”, ka deklaruar ai.
Lideri i LV-së ka vlerësuar se ngritja e këtyre aktakuzave dëmton reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. “S’do mend se kjo ngritje e aktakuzës e dëmton reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe një takim i tillë nuk do të mund të ishte i dobishëm në rrethanat e tjera të krijuara. Unë besoj në pafajësinë e UÇK-së”, ka deklaruar ai.