
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka deklaruar mbrëmë se ish-kryeministrin Albin Kurti ka bërë politikë feministe.
I pyetur se çka nënkupton me politikë feministe, ai tha se Kurti doli i papërgatitur para dialogut, e sipas tij, kjo është sjellje feministe.
“Është një politikë feministe e z. Kurti apo mospërgatitja apo guximi për të qeverisur me vendin, sidomos në situata të vështira, kur edhe përpara ka pasur një dialog me Serbinë që nuk ka qenë i përgatitur. Unë mendoj që nëse ke përgjegjësi për të qeverisur Kosovën për të qenë i pari, e të mos përballesh me sfidat dhe të marrësh vendime të tjera mendoj që është feministe”, tha mbrëmë Lekaj.
E sot, Lekaj ka dalë me sqarim për deklaratën e tij.
Në një postim në Facebook, deputeti i AAK-së ka kërkuar falje duke bërë të ditur se gjatë bisedës i ka ndodhur një ‘lëshim’.
Mbrëmë në emisionin “Edicioni Special” të Klan Kosovës, gjatë bisedës në lidhje me aktualitetin politik në vendin tonë, konkretisht përsa i përket diskutimit për pafuqinë dhe padijeninë e ish/Kryeministrit Kurti për të qeverisur me Kosovën, më ka ndodhur një lëshim i padashur gjuhësor dhe përmbajtësor me fjalën “Feministe” (kup. fëmijërore), për të cilin kërkoj ndjesë para publikut të gjerë, e veçanërisht atij femrorë.