970×90
970×90
970×90
970×90

Stanley Ho, mbreti i kazinove

Stanley Ho, mbreti i kazinove

Historia e pabesueshme e njeriut që ka shpikur Macao. Stanley Ho ka ndërruar jetë në moshën 98 vjeçare pasi ka akumuluar mbi 12 miliard dollarë pasuri, duke u bërë një prej njerëzve më influentë të Azisë dhe që ka kaluar pa u prekur nga të gjitha ndryshimet e mëdha e Shekullit të Shkurtër. Tani 17 fëmijët e tij kontestojnë i perandorinë

Kur ka qenë hera e fundit ku kemi asistuar në vdekjen e themeluesit të një qyteti? Kujdes: jo në vdekjen e ndonjë imobiliaristi vizionar që ndërton lagje të reja banimi, por në ndërrimin e jetës e një themeluesi të vërtetë, dikujt që imagjinon e ndërton një vendbanim dhe nëpërmjet tij arrij të qeverisë e të drejtojë historinë e një vendi të caktuar.

Jeff Bezos, Mark Zuckerberg dhe të gjithë titanët e tjerë e Silicon Valley kanë themeluar perandori ekonomike në gjendje të modifikojnë mënyrën që jetojmë e mendojmë; ndoshta do të jenë krerët e një dinastie, por mbretëritë e tyre, anipse depërtuese kudo, duken eterike e jo të prekshëm, tamam si bitet që i përbëjnë. Kurse Stanley Ho, që ka ndërruar jetë më 26 maj në moshën 98 vjeçare, është ndoshta manjati i fundit që identifikohej në gjithçka dhe për gjithçka me qytetin që kishte modeluar dhe nga Macao hija e tij zgjatet mbi të gjithë Lindjen e Largme në kapërcyellin midis shekullit të XX dhe të XXI.

Viti 1941: japonezët përzënë trupat britanike dhe pushtojnë Hong Kongun; midis refugjatëve të detyruar që të strehohen në Macao – koloni portugeze, domethënë zyrtarisht neutrale gjatë Luftës së Dytë Botërore – është edhe Ho Hung Sun, një 20 vjeçar që i është dashur ta braktisë kolegjin për shkak të konfliktit. Djali, që ka marrë emrin anglosakson Stanley, i përket elitës hongkongase, atij establishmenti ndërmjetësish, brokerësh dhe tregëtarësh që lëvizin ngarkesa të pafundme mallrash e titujsh brenda sistemit të dominuar nga Londra falë një kompanie si Jardine Matheson dhe Sassoon. Por familja humbet gjithçka gjatë luftës dhe Stanley merret në punë si punëtor nga një kompani japoneze import – eksporti. Bashkëpunon me pushtuesit aleatë të nazi – fashizmit – një njollë të cilën do të arrijë ta heqë me shumë shkathtësi – dhe njëkohësisht, sipas rrëfimeve të ndryshme, kontrabandon naftë dhe mallra luksi në kufirin kinez.

Në moshën 22 vjeçare, Stanley Lojëdyfishi arrin të krijojë një rrjet të vogël duke i shpërndarë mallra ushqimore popullsisë së uritur të Macao dhe në këtë periudhë shfaq një tipar unik personal që do ta shoqërojë për të gjithë jetën: pasionin për vallëzimin, sidomos cha-cha-cha. Lulëzojnë legjendat: tregohet se një anije nën përgjegjësinë e Stanley sulmohet nga piratët në segmentin Macao – Hong Kong, por djaloshi i punësuar është në bord dhe ia rimerr kontrollin me pistoletë në dorë, duke siguruar një çmim që bashkë me fitimet e kontrabandës do t’i mundësojë të krijojë kompaninë e tij të parë të ndërtimit. Sido që të jetë, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe rivendosjen e kontrollit të Londrës mbi Hong Kong, Stanley nuhat se mbi rrugën për Macao po zhvillohet një aferë kolosale: loja e bixhozit. Kolonia portugeze, të cilën Lisbona e kontrollon me flegmin krejtësisht luzitan, ka qenë ndër shekuj centrali i misioneve jezuite në drejtim të Azisë, një seli qendrore e trafikut të skllevërve dhe e opiumit, si edhe një prej atyre porteve të dendura me lokale ku luhej bixhoz dhe bordele të dedikuara marinarëve, por tani Portugalia po nis një garë tenderimi për monopolin e kazinove.

Stanley Ho themelon Sociedade de Turismo e Diversões de Macau me objektivin e fitimit të garës dhe transformuar përgjithmonë Macao: jashtë lokalet e vjetra me krupierë të impprovizuar, brenda kazinotë reja vezulluese dhe, sidomos, boll me lidhjet e pakta me Hong Kongun (ku bixhozi është i jashtëligjshëm) dhe fillim me një flotë aliskafësh të rinj në gjendje që ta mbulojnë rrugën për 1 orë. Në vitin 1962 Sociedade de Turismo e Diversões de Macau fiton garën dhe nis të korrë para pas parashë për Stanley dhe për ortakët e tij: njerëz si Yip Hon, një ish punonjës i kazinove të vjetra, i mbiquajtur «Devil King»,  ndoshta i lidhur me një prej Triadave, të quajturën 14K; ose si Teddy Hip, një kino – indonezian pilot në garat me makina; ose, akoma, si Henry Fok, një ndërtues nga Hong Kongu që nuk e ka fshehur kurrë se është pasuruar me kontrabandë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Nisin të qarkullojnë legjenda të tjera: mbi Macao rëndon një fqinj i bezdisshëm, Kina komuniste, por Stanley Lojëtrefishi do të arrinte të fitonte mbështetjen e Mao Ce Dunit duke i dhënë bankën Seng Heng si bazë për trafikun  floririt nga i cili do të përfitonte edhe Pekini, në atë periudhë nën embargo. Zërat lidhur me kontrabandën e floririt i sigurojnë shtytjen për roman një shkrimtari në modë që ndodhej në Hong Kong e Macao për një seri artikujsh për Sunday Times: shkrimtari quhej Ian Fleming; romani do të titullohej Goldfinger.

Në vitin 1970 ndërtohet Lisboa Hotel & Casino, në stil të pastër Las Vegas, me balerina prej Crazy Horse në Mona Lisa Hall në katin përdhe. Midis bixhozit, shërbimeve, transportit dhe bankave, Sociedade de Turismo e Diversões de Macau përbën e vetme mbi gjysmën e PBB-së së Macao dhe në dekadën e ardhshme investimet e Stanley Ho shtrihen në Portugali, Indonezi, Timor Lindor, Vietnam, Filipine dhe Mozambik. Por Stanley e di se mbi perandorinë e tij rëndojnë dy skadenca: ashtu si Mbretëria e Bashkuara do të duhet t’ia kthejë Hong Kongun Kinës, edhe Portugalisë i duhet të bëjë njëlloj me Macao dhe, ndërsa Kina nis e futet në tregun global me reformat e para ekonomike të saj, duhet kuptuar nëse Pekini dëshiron ta mbajë të ligjshëm bixhozin në Macao. Për më tepër, konçensioni i monopolit për kazinotë nuk është i përjetshëm dhe anipse Kinës do t’i duhej të ruante Macao si port të lirë për bixhozçinjtë, herët a vonë në skenë do të shfaqen konkurrentë.

Në frontin e parë, raportet e mira të Stanley Ho me establishmentin e Partisë Komuniste Kineze çojnë në një rezultat të shkëlqyer: në vitin 1999 Macao bëhet Rajon Administrativ Special i Kinës sippas formulës “Një vend, dy sisteme” dhe kazinotë mbesin atraksioni kryesor turistik. Qyteti është i gatshëm të presë një gjeneratë të re lojtarësh bixhozi, qytetarët kinezë e elektrizuar nga hedonizmi i një ekonomie në ekspansion të vazhdueshëm. Kalimi nga Portugalia tek Kina nuk është traumatik si ai i Hong Kongut, por megjithatë prodhon disa sinjale shqetësuese, pasi midis 1997 dhe 1999 në Macao qëllohet nëpër rrrugë, një luftë e nëndheshme midis Triadave për kontrollin e fajdeve dhe të ardhurave nga sallat e lojës, e cila  ka kulmuar me pritën e Café Caravela, ku vdesin dy superpolicë të ftuar nga Portugalia me detyrën që ta bëjnë më pak të gëzueshme atmosferën në burgun lokal.

«Nuk kam parë kurrë një anëtar të vetëm të Triadave të gjykuar e të dënuar», deklaron Stanley Ho në një prej intervistave të rralla të dhëna gazetave dhe autoritetet e kënaqin thuajse menjëherë me arrestimin e  gangsterit Wang Kuok Kuoi, i quajur «Wang Dhëmbëthyeri», bosi i 14K i gjykuar fajtor për një atentat me bomba kundër Antonio Marques Baptista, kreut të Policisë Gjyqësore të Macao. Pozicionimi nuk është i mjaftueshëm sa për ta larguar dyshimin që Stanley Ho ka arritur ndonjë kompromis me organizatat mafioze kineze: në vitin 2004 e bija Josie Ho, këngëtare pop dhe aktore, padit revistën Newsweek për një artikull që e përshkruan festën e fejesës së saj si një lloj samiti të gangsterëve të Hong Kongut.

Por qysh nga viti 1992 qarkullon një raport i një komisioni të Senatit amerikan që e quan Stanley Ho «një biznesmen i përfshirë jo drejtpërsëdrejti në krimin e organizuar, në ndryshim nga disa prej ortakëve të tij», ndërsa në vitin 1993 autoritetet australiane, ka mundësi për ta bllokuar ekspansionin në Melbourne e rrethina, e gjykojnë si «person të papërshtatshëm për të menaxhuar një biiznes të lidhur me bixhozin». Konkurrentët arrijnë në Macao më 2006, vit në të cilin skadon monopoli i Stanley Ho dhe shpërthen e ashtuquajtura «Luftë e Tri S-ve»: konkurrentët e tjerë janë Sheldon Adelson (manjat nga Las Vegas) dhe Steve Wynn, manjat i Wynn Resorts.

Kalimi në rrugët e Macao atë vit nënkupton të hasesh në kantiere të vazhdueshme që shkatërrojnë sallat  e fundit melankolike të bixhozit e zonës së portit, në të cilën do të ngrihen Venetian Macau – me riprodhimin e saj të Canal Grande – dhe Wynn Macau. Stanley Ho përgjigjet me Grand Lisboa, por gjithësesi bën marrëveshje me rivalët dhe qyteti shpërthen: në 2007 Macao kalon Las Vegas, duke u bërë kështu kryeqyteti botëror i bixhozit. Në këtë periudhë qyteti është një udhëkryq aferash të rrezikshme dhe personazhesh të çuditshëm, midis figurave më të shpeshta ka ndërmjetësa dhe lojtarë profesionistë, sportistë dhe deri një diktator i dështuar si koreanoveriori Kim Jong-nam, që ka dalë i humbur nga lufta për pushtet me vëllain për baba Kim Jong-un dhe që do të mbetet i vrarë me një vrasje misterioze në aaeroportin e Kuala Lumpur.

Tri vite më pas klani i Ho-ve, që me mbi 12 miliard pasuri zyrtare zgjeron pronat dhe pushtetin e tij në të gjithë Azinë, nis një luftë të brendshme trashëgimie: patriarku 88 vjeçar ka pësuar në infarkt dhe 17 fëmijët e tij e pasur nga 4 gra të ndryshme luftojnë pa kompromis për një llokmë të pasurisë së pafundme të tij. Stanley Ho ka ndërruar jetë në Hong Kong pas një jete të pabesueshme. «I pëlqej sfidat dhe nuk më pëlqen që të më japin një “jo” si përgjigje», thoshte për veten. Pavarësisht luftës kundër korrupsionit të ndërmarrë nga Presidenti kinez Xi Jinping, netët e Macao mbesin ndër më të çmendurat e Lindjes së Largët, nga sallat e rezervuara e Grand Lisboa apo të Wynn, ku humben pasuri të tëra në pak orë, tek garat me kuaj e me qen që vazhdojnë deri vonë, nga xhirot me makinë në Avenida da Praia Grande e përshkuar nga era e lehtë, deri tek xhini me tonik i shërbyer në kopshtin e Pousada de Sao Tiago, e nxjerrë nga kullë e vjetër portugeze. Qyteti i themeluuar nga Stanley Ho është ende aty.

(nga Linkiesta)

Related posts