Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka folur edhe njëherë për shkarkimin e Albin Kurtit nga pozita e Kryeministrit të Kosovës, dhe sipas tij këtu nuk pati rol faktori ndërkombëtar.
Megjithatë në Opinion, Thaçi u shpreh se raportet që krijoi Kurti me Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çuan në rrëzimin e Qeverisë.
”Zhvillimet që kanë ndodhur mes partnerëve të koalicionit fillimisht pothuajse të armiqësuara në skenën politike, përballë të gjithëve dhe askush me të. Ishin raportet edhe me Shqipërinë por edhe ato ndaj SHBA-ve. Krijoi rrethanën vet që të shkarkohet vet nga 2/3-tat e deputetëve”, ka thënë presidenti.
Sipas tij, qasja e tillë e një kryeministri është gabim strategjik
”Moskominikimi i sinqertë me Washingtonin, mosbesimi që ka treguar ndaj SHBA-ve dhe mosprezantimi i së vërtetës ndaj SHBA-ve në komunikimin që kisha me të dhe të vlerësohet se Shtëpia e Bardhë të jetë e Kuqe apo e verdhë janë gabime strategjike të një Kryeministri të Kosovës”.
A pati rol SHBA në rrëzimin e Kurtit? Kjo është përgjigjja e presidentit:
”Ky është një konspiracion dhe është paranojë kushdo që e prezenton. Kanë votuar deputetë të gjitha partive përjashtim prej njërës”.
”Unë nuk dua që bisedën ta personalizojë edhe sonte këtu me ish-kryeministrin. Nga ana ime nuk kam pasur ndonjë problematikë. Unë kur kam qenë lider politik e kam ballafaquar në beteja politike dhe i ka humbur të gjitha në mënyrë spektakolare”.
”Tash i mbetet atij të reflektojë. Në takimet që kisha me të jam munduar ta këshillojë. Sikur t’i merrte ato këshilla sot do ishte në zyren ku ka qenë [Zyrën e Kryeministrit]”.
”Kanë qenë takime normale, takime korrekte të dëgjimit me respekt nga ajo që kemi dëgjuar nga njëri-tjetri”.
”Nga ana ime është ofruar bashkëpunimi, ka pasur mundësi të jashtëzakonshme bashkëpunimi. Me pretendimet për të shtyr një agjendë që nuk kishte vlera të vullnetit qytetar as të vullnetit perëndimor”.
”Mund të them që askush nuk e shkarkoi atë por e ka shkarkuar vetveten me gabimet e tij”.