Qeveria e re e Kosovës, do të ketë 16 ministri, një më shumë sesa ajo e kaluara.
Por, megjithatë një Ministri nuk do të jetë pjesë e saj. Bëhet fjalë për Ministrinë e Integrimeve Evropiane, e cila deri sot drejtohej nga Blerim Reka, shkruan Reporteri.
Derisa kryeministri Hoti para deputetëve njoftoi përbërjen e re të kabinetit qeveritar, kjo ministri nuk u përmend fare.
Mirëpo, drejtori institutit EPIK, Demush Shasha, ka kujtuar se qeveria e votuar sot e ka shuar atë.
“Para 10 viteve është krijuar Ministria e Integrimit. Sot ajo është shuar. Shuarja e saj është analogji e përshtatshme për të simbolizuar perëndimin e filluar prej kohësh të interesimit politik për reformat Evropiane. Sidoqoftë, përtej simbolikes, është vendim i duhur që kompetencat e MIE-së të barten tek Zyra e Kryeministrit. Në tetor 2019 kemi shtjelluar në detaje 10 arsye përse”, ka shkruar Shasha në Facebook.
Shuarja e kësaj ministrie ishte kërkuar edhe vite më parë. Dështimi në liberalizim të vizave dhe mosarritja e përmbushjes së qëllimeve për të cilat ishte themeluar Ministria e Integrimeve Evropiane, ka bërë që nga shumë qeveri të konsiderohej se vazhdimi i punës së kësaj ministrie është vetëm shpenzim i panevojshëm i buxhetit të shtetit. /Reporteri.net