Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës sot ka mbajtur një mbledhje, derisa pas përfundimit të saj kryetari Isa Mustafa dhe mandatari për kryeministër, Avdullah Hoti, prezantuan emrat e ministrave të LDK-së.
Agim Veliu, Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratë Publike, Hikmete Bajrami, Ministre e Financave, Arban Abrashi, Ministër i Infrastrukturës, Anton Quni, Ministër i Mbrojtjes, Armend Zemaj, Ministër i Shëndetësisë, Besian Mustafa, Ministër i Bujqësisë, Vlora Dumoshi, Ministre e Kulturës, janë emrat e propozuar nga LDK-ja për ministra.
Ndërsa, zëvëndëskryeministër do të jetë Driton Selmanaj.
Sipas kësaj liste, del që tre deputetët Armend Zemaj, Arban Abrashi e Driton Selmanaj, do ta lëshojnë karrigen e tyre në Kuvend.
E, në vend të tyre, do të vijnë tre deputetë të tjerë, të cilët sipas numrit të votave në zgjedhjet e 6 tetorit, pasojnë në listë.
Këta janë: Visar Hoti, Ismet Beqiri dhe Faton Bislimi.
Nesër në orën 11:00 do të nisë seanca e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votimin e qeverisë Hoti.