Kryeministri Ramush Haradinaj pasi emëroi një numër enorm të zëvendësministrave në kabinetin e tij, u mundua që ta zbusë veprimin e tij duke kërkuar llogari. Ai iu kishte dhënë afat të gjithë zëvendësministrave, që deri më 10 prill, ta përgatisin një raport ku tregojnë për punët që i kanë bërë. Urdhrit të shefit të Qeverisë, po i binden vartësit e tij.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar muaj më parë, që secili nga zëvendësministrat, të marrin detyrime dhe përgjegjësi të caktuara brenda dikastereve ku janë emëruar.
Kësisoj, shefi i ekzekutivit ka kërkuar që më 10 prill 2018, secili nga ta, të paraqesë një raport me shkrim për 100-ditëshin e dytë të qeverisjes, rreth punëve konkrete që janë bërë nëpër ministri.
E kërkesën e tij, duket se e kanë marrë shumë seriozisht zëvendësit e ministrave.
Burim Ramadani, i cili është emëruar si zv.ministër në Ministrinë e Forcës së Sigurisë thotë se kërkesa për raportim është e obligueshme.
“Unë jam emëruar tre muaj më parë dhe gjatë kësaj kohe angazhimet kanë qenë të koordinuara mirë me Ministrin Berisha dhe me Kryeministrin Haradinaj. Sigurisht që kërkesa për raportim është e obligueshme dhe aty do të përshkruhen angazhimet kryesores, angazhimet ditore dhe mujore”, është shprehur Ramadani për Express.
Ai thekson se duke qenë në një Ministri dhe fushë më specifike, angazhimi i tij vazhdon të jetë në koordinim me institucionet tjera në Kosovë, me shoqërinë civile dhe me partnerët e Kosovës.
“Kjo në përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar pozicionin e Kosovës në përmbylljen me sukses të vendimmarrjes për transformimin e FSK-së”, thotë ai.
Edhe Anton Berisha, që aktualisht mbanë pozitën e zëvendësministrit në MPJ’së, thotë për Express se të tilla raportime tregojnë veprimtarinë e secilit gjatë punës.
“Ato përshkruajnë veprimtarinë e secilit gjatë kësaj periudhe. Natyrisht se në atë bazë raporti është aty”, ka shtuar Berisha.
Ndërkaq, zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Artan Berisha, sqaron se raporte të ngjashme janë përgatitur çdo muaj, jo vetëm ato për 100 ditëshin.
“Sigurisht jemi të informuar rreth kërkesës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ne kemi përgatitim raporte edhe mujore jo vetëm të 100 ditëshit.
Unë ende nuk i kom 40 ditë në pozitën e Zv.Ministrit, por kam raportet për këto ditë dhe do ja prezantoj sigurisht Kryeministrit”, ka shtuar ai.
Sidoqoftë, emërimi i një numri kaq të madh të zëvendësministrave në Qeverinë e udhëhequr nga Haradinaj, zgjoi kritika të mëdha nga opozita dhe shoqëria civile.
Haradinaj e arsyetoi këtë veprim për shkak të koalicionit të gjerë që e kanë krijuar për ta formuar Qeverinë.
Me 61 vota Për dhe 1 Abstenim, u formua në muajin shtator të 2017’ës, Qeveria “Haradinaj 2”. Kjo Qeveri u bë edhe me pesë zëvendëskryeministra dhe 21 ministra.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të datës 09.09.2017, u votua qeveria e koalicionit PDK-AAK-NISMA me AKR-në, Listën Serbe dhe pakicat tjera.Në kohën e votimit deputetët e LVV dhe LA e kishin lëshuar sallën./D.K/GazetaExpress