
Gazeta më e njohur britanike, The Guardian ka shkruar për akuzat që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lëshuar një varg akuzave të ashpra ndaj Drejtorit të Agjencive të Inteligjencës Kombëtare të Donald Trump, Richard Grenell duke e akuzuar atë për ndërhyrje në politikën e brendshme të Kosovës, duke ndihmuar në rrëzimin e Qeverisë së tij me qëllimin për të dhënë një fitore të shpejtë diplomatike për Trumpin.
Guardian shkruan se Kurti po qëndron si kryeministër në detyrës pasi partnerët e tij të koalicionit u kthyen kundër tij në një votim parlamentar, muajin e kaluar. Përpjekja për rrëzimin e Qeverisë, thuhet se u prit me mospajtime midis shumë kosovarëve, të cilët dëshironin që Qeveria të përqendrohej në luftimin e coronavirusit.
Kurti pranoi se kriza kishte një dimension lokal, por akuzoi Richard Grenell, se është duke punuar në një marrëveshje të mundshme, që Serbia të njohë Kosovën,
“Qeveria ime nuk u rrëzua për asgjë tjetër, por thjesht sepse ambasadori Grenell ishte me nxitim për të nënshkruar një marrëveshje me Serbinë,” tha Kurti në një konferencë për shtyp të mbajtur përmes një video lidhje nga Prishtina.
Një besnik i Trump, Grenell është ambasadori amerikan në Gjermani dhe gjithashtu u emërua kohët e fundit si ushtrues i detyrës për inteligjencën kombëtare, duke koordinuar punën e 17 agjencive të inteligjencës amerikane.
Ai më parë shkaktoi polemikë në Berlin duke thënë se dëshironte të “fuqizonte” forcat e djathta në Evropë.
“Ajo që atij [Grenell] i duhet është një marrëveshje e shpejtë për të treguar se ata mund të rregullojnë krizat në botë, ndoshta në kontrast me Clintonet, Bushin dhe Obaman, pa ndonjë ndërhyrje ushtarake, dhe kjo mund të paraqitet si një sukses të këtë vit zgjedhor”, tha Kurti.
Ai akuzoi Grenellin se ishte i interesuar për përmbajtjen e çfarëdo marrëveshjeje, dhe se ishtei përqendruar vetëm në marrjen e “nënshkrimit në fund të letrës”, sa më shpejt të jetë e mundur, raporton Gurdian.
Pas dështimit të Trump për të bërë përparim në një marrëveshje me Korenë e Veriut ose në Lindjen e Mesme, është e mundur që Shtëpia e Bardhë tani e sheh se Ballkani si bastin më të mirë për një përparim diplomatik, por koha po mbaron para zgjedhjeve të nëntorit, transmeton Reporteri.
Beogradi nuk pranon të njohë pavarësinë e Kosovës. Një marrëveshje do të hapte mundësinë që Kosova të zë një vend në Kombet e Bashkuara dhe që të dy vendet të bëhen anëtare të BE-së në të ardhmen. Aspekti më i diskutueshëm në dialog ka qenë “biseda për një shkëmbim të mundshëm të territoreve”. Bisedimet midis dy vendeve janë zhvilluar nën kujdesin e BE-së.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dëshmuar më bashkëpunues sesa Kurti dhe të dielën Grenell shkroi në Tëitter se kishte folur me Thaçin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuqic, “për të bërë të qartë se ata duhet të fillojnë të ndërtojnë besim dhe përgatitje për dialog”.
Ai mohoi që ai ose dikush tjetër në këto diskutime deri tash kishin përmendur një shkëmbim të tokës.