
Lojtari të cilin Messi s’kishte guxuar ta shikonte në sy në zhveshtorën e Barcelonës
Lionel Messi ka zbuluar se e kishte vlerësuar dhe admiruar aq shumë Thierry Henry-n, saqë nuk kishte mundur ta shikonte në sy sulmuesin francez në takimin e tyre të parë në dhomën e zhveshjes në Barcelonë.
Në verën e vitit 2007, Henry iu bashkua Barcelonës nga Arsenali dhe Messi ishte i mahnitur nga partneri i ri në sulm, transmeton Gazeta Express.
Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë tani ka zbuluar momente nga takimi i tij i parë me ish-sulmuesin.
“Ditën e parë kur ai erdhi në zhveshtore, nuk guxoja ta shikoja në sy”, tha Messi për Henry-n në një intervistë për gazetën franceze “L’Equipe”.
“Isha i vetëdijshëm për të gjitha që ai i kishte arritur në Angli. Ai tashmë kishte imazh të fortë dhe papritmas isha në të njëjtin ekip me të”, shtoi Messi.
“Unë ndiej një formë admirimi për Henry-n. Më pëlqente lehtësia me të cilën shënonte gola ai”, nënvizoi ai.
Edhe vetë Henry ka qenë adhurues i madh i Messit po ashtu, duke e lartësuar argjentinasin si ndër futbollistët më të mirë në histori të futbollit.