Analisti për çështjet e Ballkanit në Qendrën Wilson, Ross Johnson theksoi se qeveria e Kosovës bëri veprimin e duhur me shkarkimin e Ministrit të Brendshëm dhe Shefit të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës për rolin e tyre në arrestimin dhe deportimin e shtetasve turq.
Ai i tha Zërit të Amerikës se deportimet ishin të parregullta dhe të paligjshme. Presidenti turk, thotë zoti Johnson, “ka shkuar tepër larg” me komentet e tij për qeverinë e Kosovës.
“Një zhvillim i çuditshëm. Natyrisht ata u deportuan në mënyrë të parregullt. Kryeministri dhe Presidenti nuk mund të bënin gjë tjetër përveç shkarkimit të ministrit të brendshëm dhe shefit të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës. Ky ishte një deportim tepër i parregullt dhe i paligjshëm i shtetasve të huaj, pavarësisht nëse ata ishin të angazhuar apo jo në aktivitete të paligjshme kundër shtetit turk. Kjo nuk duhet bërë. Zoti Erdogan ka shkuar tepër larg duke kritikuar qeverinë e Kosovës për këtë. Megjithatë, kjo është një sjellje tipike e tij. Kështu që unë nuk jam aspak i befasuar nga kjo”.