970×90
970×90
970×90
970×90

Përgjigjja ndaj teorive se instalimi i rrjetit 5G ka lidhje me coronavirusin

Përgjigjja ndaj teorive se instalimi i rrjetit 5G ka lidhje me coronavirusin

Shumë debate kohët e fundit, në internet dhe jashtë tij, kanë përmendur një lidhje të mundshme midis rrjeteve 5G dhe coronavirusit.

Një nga dy teoritë që janë quajtur si të pabaza nga ekspertët, është se COVID-19 është përhapur për të fshehur rreziqet që do të sjellë teknologjia 5G, apo dhe që kjo teknologji e dobëson sistemin imunitar.

Megjithatë, bisedës i janë shtuar edhe persona të famshëm. Aktori amerikan, Woody Harrelson, shpërndau në Instagram një postim që e lidh rrjetin 5G me pandeminë.

Personaliteti televiziv, Jason Gardiner, thotë se OBSH kishte dhënë paralajmërime në lidhje me rrjetin e celularëve, për shkak të sëmundjeve.

Debati në Mbretërinë e Bashkuar shkoi edhe më tej, pasi u raportua se të paktën një shtyllë e rrjetit 5G ishte djegur qëllimisht.

Korporata e shpërndarjes së rrjetit, EE, iu përgjigj Euronews në një e-mail duke thënë se inxhinierët e tyre kishin nisur të hetonin origjinën e zjarrit që kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme.

“Nëse del që është zjarrvënie, siç duket tani për tani, do të punojmë me policinë për të gjetur fajtorin”, thotë kompania.

“Të shkatërrosh një antenë të tillë komunikimi kur njerëzve u duhet më shumë se kurrë të jenë të lidhur, është diçka shumë e dëmshme dhe e rrezikshme. Do të përpiqemi të rikthejmë sa më shpejt mbulim të plotë, por dëmi është i konsiderueshëm”, thotë EE.

‘Digjni të gjitha antenat 5G’

Në Facebook u shpërnda një video që tregonte zjarrin. Një nga komentuesit shkruante: “Shumë mirë. Duhen djegur të gjitha. Coronavirusi është sa për mbulim. 5G po i vret të gjithë. Është shumë i fuqishëm. Duhet të marrë fund”.

Një komentues tjetër thotë: “Shkulini të gjitha dhe vërini zjarrin. Nëse ju pyet policia, u thoni që po shpëtoni jetë. Përgjigje e thjeshtë.”

Një tjetër komentues: “Jeta është e çmuar dhe këto materiale po e shkatërrojnë. Çfarë turpi që qeveritë e dinë se çfarë po ndodh nëpër botë, por vazhdojnë të fajësojnë lakuriqët e natës në Kinë”.

Por a ka ndonjë të vërtetë, gjithë ky zemërim? Duhet të shqetësohemi?

Çfarë është 5G?

5G është një rrjet valësh për celularë që u vu në punë në vitin 2019, për të shpejtuar lidhjen e internetit.

Punon me një frekuencë më të lartë se sistemet e mëparshme, në mënyrë që të ofrojë shpejtësi më të madhe.

Çfarë thuhet në lidhje me dëmet ndaj shëndetit?

Përpara përhapjes së coronavirusit, ka pasur diskutime për ndikimet që mund të ketë 5G në shëndetin e njerëzve, për shkak të frekuencës së lartë të valëve.

Ka që thonë se kjo frekuencë ka ndikuar që të ulet sistemi imunitar i popullsisë, ndërsa të tjerë shtojnë që virusi po përdoret si shfajësim për të mbuluar ndikimet në shëndet që shkaktohen nga rrjeti.

Pra, ka lidhje rrjeti 5G me coronavirusin?

Përgjigjja e shkurtër është “jo”.

Qeveria britanike ka thënë se nuk ka asnjë lidhje, ndërkohë që “Mobile UK”, një sindikatë e kompanive të celularëve në Britani, kanë thënë se deklaratat janë të pabaza e të papranueshme shkencërisht.

“Gjëja më shqetësuese është se disa njerëz po abuzojnë me stafin tonë dhe po kërcënojnë të dëmtojnë infrastrukturën, për shkak të këtyre deklaratave të rreme për 5G.

“Kjo nuk është e pranueshme dhe vetëm sa dëmton aftësinë tonë si industri për të ruajtur kapacitetin e veprimtarisë në rrjete, për të mundësia kaq shumë njerëz që punojnë nga shtëpia, si dhe për t’u ofruar shërbim institucioneve të urgjencës, si spitalet, dhe njerëzve në kushte të vështira shëndetësore”, thotë sindikata.

Yusuf Sambo, një kërkues te Universiteti i Glasgout, i cili po teston rrjetin 5G në Skoci, tha për AFP se edhe pse ai e pranon se duhet parë nëse ka ndikime në shëndet, kjo nuk ka lidhje fare me viruset.

Besohet se valët elektromagnetike me frekuencë të lartë mund të ndikojnë me kancerin. Por frekuencat e ulëta magnetike, si ato të 5G, prodhojnë një formë rrezatimi pa jonizime, që nuk depërton në qeliza për t’i dëmtuar.

Rrjeti 5G mund të jetë më i shpejti se ai 4G, por prapë, është shumë më pak se kufiri i caktuar nga udhëzimet ndërkombëtare.

OBSH, e cila ka një udhëzim të detajuar në lidhje me rrjetin e celularëve, thotë se nuk kanë zbuluar asnjë lidhje me dëmtimet e shëndetit, edhe pasi janë bërë shumë kërkime.

Related posts