Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka ripërsëritur qëndrimin e partisë së tij se Kosova duhet të bëhet me qeveri të re, pa shkuar në zgjedhje.
Mustafa ka thënë, gjatë një paraqitjeje të drejtpërdrejtë në televizionin T7, se “nuk duhet të shkohet në zgjedhje të reja në këtë kohë, kur po përballemi me koronavirusin”.
Ai ka vlerësuar se vendi duhet “të bëhet me qeveri e re”, pas rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.
“Nëse vjen te dhënia e mandatit për LDK-në, ne natyrisht se do të bisedojmë me subjektet e tjera në Kuvend, dhe do të bëjmë një zgjidhje të pranueshme”, ka deklaruar shefi i LDK’së.
I pyetur se kush do të mund të ishte kandidat i LDK-së për kryeministër, Mustafa ka thënë se një çështje e tillë nuk është diskutuar në parti.
“Nuk kemi biseduar akoma. Do ta trajtojmë këtë çështje. Nuk mund të flas tani, për gjendjen në të cilën mund të vijmë”, është shprehur ai.
“Në LDK kemi kandidatë të mirë, të përgjegjshëm, që mund ta çojnë vendin përpara me një qeverisje të mirë”, ka thënë Mustafa.
Ai ka deklaruar se partia e tij mund të bëjë “një koalicion me AAK-në dhe me Nismën e Fatmir Limajt”.
Mustafa nuk e ka përjashtuar edhe bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit, dhe me Partinë Demokratike të Kosovës, që udhëhiqet nga Kadri Veseli.
“Domosdoshmërisht duhet të bashkëpunojmë më vonë me VV-në dhe me PDK-në, sidomos për dialogun me Serbinë”, ka thënë Mustafa.